Uashington, 19 Shkurt 2011 - Ligjvenësi republikan nga Kalifornia, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rorabaker, thotë se në një vend demokratik, në se zgjedhjet kanë mbaruar, qeveria e zgjedhur duhet lejuar të mbarojë mandatin.
Në zgjedhjet e ardhshme, nëse korrupsioni është i lartë dhe nëse me të vërtetë zgjedhjet janë vjedhur, ato mund të rimerren përsëri, ka deklaruar në një intervistë për Zërin e Amerikës, kongresmeni Rorabaker.
Duke folur për Kosovën ligjvënësi republikan thotë se Serbia duhet të mësohet me realitetin se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme.
Ai rekomandon që të dyja këto vende të shqyrtonin mundësinë, si pjesë e një plani gjithëpërfshirës, të krijimit në Ballkan të një komonuellthi shtetesh, ku secili shtet të kishte sovranitetin e tij.