English

Rorabaker: Zgjedhjet e ardhshme, provë për akuzat e derisotme

Uashington, 19 Shkurt 2011 / VOA- Arben Xhixho - Ligjvënësi republikan nga Kalifornia, anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve Dana Rohrabacher, thotë se në zgjedhjet e ardhshme, nëse korrupsioni është i lartë dhe nëse me të vërtetë zgjedhjet janë vjedhur, ato mund të rimerren përsëri.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës Rohrabacher vlerëson se në një vend demokratik, në se zgjedhjet kanë mbaruar, qeveria e zgjedhur duhet lejuar të mbarojë mandatin.

Duke folur për Kosovën, ligjvënësi republikan thotë se Serbia duhet të mësohet me realitetin se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, dhe ai rekomandon që të dyja këto vende të shqyrtonin mundësinë, si pjesë e një plani gjithëpërfshirës, të krijimit në Ballkan të një komonuellthi shtetesh, ku secili shtet të kishte sovranitetin e tij.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të angazhuara kohët e fundit përmes Departamentit të Shtetit, për zhvillimet politike në Shqipëri, në përpjekje për të qetësuar situatën e acaruar nga mosmarrëveshjet e thella mes Partisë Demokratike në pushtet dhe Partisë Socialiste të opozitës. Si anëtar i Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit, si i shikoni zhvillimet e fundit në Shqipëri?

Gjëja më e rëndësishme që duhet kuptuar është se protestat që po shohim në Tunizi, në Egjipt dhe në vende të tjera, ku njerëzit kërkojnë reforma demokratike dhe kanë dalë në rrugë, nuk kanë gjë të përbashkët me Shqipërinë. Në Shqipëri u zhvilluan zgjedhje të drejta. Ka një parti në pushtet që u zgjodh në qershor të 2009, mandati i së cilës është deri më 2013. Pra vendi ka një qeveri të zgjedhur. Ata që kanë mosmarrëveshje me të, ose që nuk janë dakord me ato që ajo bën, nuk janë të justifikuar të dalin në rrugë për të sjellë pengesa dhe ta krahasojnë veten me njerëzit që po protestojnë kundër qeverive autoritare që nuk janë të zgjedhura. Që populli i Shqipërisë të respektohet nga Bashkimi Evropian dhe të tjerët, duhet ta mësojë se qeveria e zgjedhur duhet respektuar. Këtu në Amerikë, tani për shembull, ne republikanët nuk po dalim në rrugë për të larguar Obamën. Jo kjo nuk ndodh. Ne po përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme. Është e drejtë të dalësh në rrugë për të kërkuar zgjedhje të lira e të drejta, por nuk është e drejtë të kërkosh që qeveria ta ndërpresë mandatin e saj. Ajo që po ndodh në Shqipëri për mua është një papjekuri politike, veçanërisht e opozitës së fundit, e cila refuzon të njohë dhe kërkon të përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Ndoshta është e justifikuar, nuk e di, kur flasim për korrupsionin. Ne e dimë se ka korrupsion në qeverinë e tanishme. Por korrupsion ka patur edhe në qeveritë e kaluara. Por, kur zgjedh një qeveri, ajo duhet lejuar të mbarojë mandatin, dhe pastaj kur vijnë zgjedhjet, njerëzit duhet të vendosin nëse një qeveri e caktuar duhet apo nuk duhet zgjedhur sërish për shkak të korrupsionit.

Gjendja në Shqipëri u acarua më tej pas protestës së 21 janarit të opozitës që u shndërrua në dhunë, gjatë së cilës 4 protestues humbën jetën. Të dyja palët po shkëmbejnë akuza me njëra-tjetrën lidhur me hetimet. A mban përgjegjësi qeveria për vrasjen e 4 personave?

Qeveria mund por edhe mund mos të jetë përgjegjëse. Në se ka zyrtarë në nivele të larta që nxisin policinë të përdorë taktika brutale ndërhyrjeje për të shtypur një demonstratë, atëherë qeveria është përgjegjëse. Por në se policët nuk janë të trajnuar si duhet, ose në se bëhet fjalë për individë të caktuar, siç mund të gjenden në çdo forcë policore në botë, që janë elementë të papërgjegjshëm, atëherë qeveria nuk është përgjegjëse. Këto janë çështje që duhen parë, që duhen hetuar, njerëzit duhet të dëshmojnë. Nëse ka të dhëna që tregojnë se kryeministri mund të ketë sugjeruar se protestuesit duhen shtypur me çdo mjet, atëherë aty mund të flitet për përgjegjësi. Por në se policia vetë ka reaguar më ashpër se ç’duhet, kjo ndodh në çdo vend.

Ka shumë analistë e vëzhgues që flasin për një sindromë lodhjeje, se komuniteti ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, mund të jenë lodhur tashmë me politikën në Shqipëri, që sa herë ka probleme kërkohet ndërhyrje nga jashtë. Çfarë ju vjen në mendje kur dëgjoni këto skenarë në Shqipëri që përsëriten herë pas here? Çfarë ndikimi kanë ato për imazhin e vendit?

Kjo përforcon argumentin tim se në demokraci zgjedhjet zhvillohen në kohë të caktuara. Personi që është zgjedhur nuk mund të pengohet menjëherë, pa i dhënë mundësi të zbatojë politikat e tij për vendin. Të shikosh tani gjithë këto protesta, gjithë këtë aktivitet, për të rrëzuar një qeveri të zgjedhur, shumë kohë para përfundimit të mandatit, është shumë shqetësuese për njerëzit që besojnë në demokraci. Një situatë e tillë dëmton legjitimitetin, jo vetëm të kryeministrit, por të vendit në tërësi. Njerëzit në Shqipëri duhet ta kuptojnë se tani që janë në një fazë të përparuar të ekzistencës së institucioneve demokratike, dhe kjo vlen jo vetëm për Shqipërinë, nuk mund të rrëzojnë një qeveri të zgjedhur thjesht se nuk janë dakord me të dhe të shpresojnë që pjesa tjetër e vendeve të demokracive perëndimore të të konsiderojnë një vend me demokraci të pjekur. Unë e kuptoj se përse, veçanërisht zyrtarët në BE, do ishin shumë të shqetësuar se Shqipëria, që pati zgjedhje demokratike, tani po kalon në periudha paqëndrueshmërie.

Opozita sjell si argument për kërkesën e saj për zgjedhje të parakohshme, faktin që në vend ka shumë korrupsion dhe zgjedhjet e kaluara, që u njohën nga OSBE-ja dhe ODIHR-i, u vodhën. A nuk kanë ata të drejtë në kërkesën e tyre?

Jo aspak. Ata duhet të pranojnë se pas zgjedhjeve, pas formimit të qeverisë, nuk mund të vazhdosh t’i tërheqësh gjërat zvarrë. Këtu në Amerikë ne patëm një përvojë kur presidenti Xhorxh Bush u zgjodh president. Pati parregullsi në Florida, ne u morrëm me to, ato u bënë përcaktuese për fituesin e zgjedhjeve, presidenti Bush doli fitues dhe çështja quhet e mbyllur. Kështu ndodh në demokraci. Nuk mund të zvarrisësh gjerat që të mos ketë qeveri për një kohë të gjatë. Asnjëherë nuk mund të ketë zgjedhje të përsosura, ku opozita mos të ketë diçka për t’u ankuar. Duhet bërë më e mira e mundshme dhe duhet ecur më tej. Në zgjedhjet e ardhshme, nëse korrupsioni është i lartë dhe nëse me të vërtetë zgjedhjet janë vjedhur, ato mund të rimerren përsëri.

KOMENTE