Prishtinë, 19 shkurt 2011, NOA- Pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve të rëndësishme, e para me Behxhet Pacollin dhe e dyta me Slobodan Perkoviç, Hashim Thaçi ka shtyrë për ditën e nesërme nënshkrimin tjetër për koalicionin qeverisës me Listën “Ibrahim Rugova”.
Por sipas nënkryetarit të PDK-së, Hajredin Kuçi, ende nuk janë vendosur postet që do të drejtojë lista në qeverinë e re.
Kuçi tha për mediat Kosovare se, “Nesër do të kemi takim me Listën dhe aty do të vendoset gjithçka”.
Sipas të dhënave paraprake mësohet se djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugova, nuk do të drejtojë ndonjë ministri.
Ndërkohë partia e serbëve që ka tetë deputetë, do të drejtojë Ministrinë e Pushteti Lokal, Ministrinë e Kthimit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe kryetari i saj Slobodan Perkoviç, do të mbajë postin e zëvendëskryeministrit.
Ndërsa 6+ do të marrë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor si dhe gjashtë poste zëvendësministrash.
a.y/NOA