Tiranë, 19 shkurt, NOA - Në Galerinë FAP, ditën e hënë 21 shkurt, do të organizohet ceremonia e hapjes së ekspozitës me punimet e edicionit të radhës të konkursit “Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore”.
Ky edicion është emërtuar “Tik-Tak” që sipas kuratorit të këtij edicioni, Ardian Isufi, përkon me vetë filozofinë e harmonisë së kohës në hapësirën e përditshme të individit.
Janë përzgjedhur për të marrë pjesë në fazën finale, nga ku do dalë edhe fituesi i “Çmimit për Artit Bashkëkohor AMC në Artet Pamore”, punimet e 10 artistëve.
Këta artistë të rinj janë të gjithë studentë aktualë dhe ish-studentë të Akademisë së Arteve.
Në këtë konkurs, të rinjtë kanë parashtruar konceptet e tyre artistike mbi kohën dhe hapësirën duke i materializuar në vepra artistike.
Artistët e rinj kanë mbi tri muaj që punojnë për realizimin e këtyre veprave, nëpërmjet punimeve të ndryshme si në pikturë, instalacion apo edhe vepra kinetike.
“Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore” është nismë që synon të ngjallë interesim për artistët e rinj dhe të nxisë kreativitetin tek të rinjtë, duke u dhënë mundësi të krijojnë vepra artistike e më pas t’i ekspozojnë.
“Tik-Tak” është pjesë e projektit “Qyteti i arteve”, që organizohet nga Akademia e Arteve dhe që ka realizuar 34 veprimtari kulturore, përfshirë shfaqje, ekspozita dhe aktivitete të tjera.
Ekspozita me punimet e përzgjedhura do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 5 mars.
n.e/NOA