Tiranë, 19 shkurt, NOA - Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli zgjodhi një mënyrë të veçantë për të përkujtuar 20-vjetorin e rrëzimit të simboleve të diktaturës komuniste duke zhvilluar një takim me studentë e studente 20-vjeçarë. E shoqëruar nga deputetja, Rajmonda Bulku, njëkohësisht pjesëmarrëse e lëvizjes së dhjetorit të vitit 1990, kryetarja e Kuvendit bisedoi dhe iu përgjigj interesimit të studentëve mbi jetën e vështirë, ankthin, frikën dhe tmerrin që kanë përjetuar shqiptarët nën sundimin e regjimit komunist si dhe hapat e zhvillimit dhe progresit që ka shënuar Shqipëria në këto 20 vite etj. “Është një moment i veçantë që bisedoj me ju, është një moment reflektimi për të gjithë ne. Ky është një përvjetor shumë i veçantë. Ju nuk keni qenë dëshmitar të një sistemi diktatorial ekstrem siç ka qenë historia e regjimit përpara viteve ‘90, një regjim i egër, më i egri në krahasim me të gjitha vendet e tjera të Evropës që kanë vuajtur nga ky sistem. Por përsëri ne jemi një komb, që dhe pas 500 viteve pushtim, 50 viteve diktaturë, përsëri, rilindja jonë ka qenë e orientuar nga perëndimi, nga vlerat e lirisë dhe e demokracisë dhe kjo është një vlerë e jashtëzakonshme”, u shpreh kryetarja e Kuvendit. Sipas saj, “demokracia është një vlerë e jashtëzakonshme, duhet përkujdesje për të dhe kjo duhet të bëhet nga të gjithë”.
“Duhet të besojmë në këtë sistem, duhet të besojmë në këto vlera, kushdo që të përpiqet që ta kërcënojë demokracinë nuk duhet të lejohet kurrë, asnjëherë. Ne jemi vendi që kemi paguar më shumë se kushdo tjetër mungesën e lirive dhe të të drejtave. Ne, nuk mund të lejojmë kurrë, për asnjë arsye, për ambicie individuale, personale të pushtetit që të kërcënojnë me dhunë, ne besojmë tek zgjedhjet, tek vota e lirë”, tha ajo.
Më tej, Topalli vlerësoi se sot, 20 vite pas rrëzimit të diktaturës më të egër komuniste në Evropë, Shqipëria ka bërë hapa gjigantë drejt zhvillimit dhe progresit të jashtëzakonshëm, sot Shqipëria është vend anëtar i NATO, vend ku qytetarët lëvizin pa viza në hapësirën Shengen dhe që aspiron të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Evropian. Nga ana e tyre, gjatë bisedës, studentët dënuan dhunën e 21 janarit, dhe theksuan se dhuna ekstreme, e paralajmëruar e ushtruar gjatë asaj demonstrate ishte një traumë e rëndë për shoqërinë shqiptare. Duke mbështetur shqetësimin e studentëve, kryetarja e Kuvendit theksoi se 21 janari ishte një skenar i turpshëm dhe i paralajmëruar për marrjen e pushtetit me dhunë, me çdo çmim dhe me çdo mjet. “21 janari, ishte një ditë e tmerrshme, aq edhe e turpshme, ishte e paralajmëruar, e organizuar, ishte një ditë tronditjeje për çdo shqiptar. Por atë ditë, qytetarët dhe grupi kriminal prej 321 personash të skeduar për vrasje, tentativë vrasje, drogë, kontrabandë, trafiqe e lanë vetëm. Braktisja e dhunës prej qytetarëve është përgjigjja më e mirë që mund t’i jepet dikujt që kërkon karrigen dhe pushtetin me çdo çmim dhe me çdo kusht. Në demokraci nuk vendosin hunjtë, gurët, bombat molotov dhe as flaka që hodhën në oborrin e selisë së Kryeministrisë”, u shpreh ajo. n.e/NOA