English

Zbardhen detajet e vjedhjes së NBG Bank

Durrës, 19 shkurt, NOA - Policia e Durrësit ka zbardhur të plotë vjedhjen me armë të një dite më parë të filialit të “NBG Bank”.

Siç ajo konfirmon për agjencinë e Lajmeve NOA, shuma e parave të sekuestruara prej asaj që morën agresorët ka qenë 2.3 milionë lekë të reja, ndërsa mësohet se janë vënë në pranga edhe 2 nga 3 autorët e ngjarjes.

Konkretisht, ata janë Romeo Dapellai, 24 vjeç, banues në Tiranë dhe Dasho Jaupllari, 41 vjeç, edhe ky banues në Tiranë, i dënuar më parë në Greqi për veprën penale të “Vjedhjes”.

Gjithashtu, nga puna e kryer prej grupit hetimor mbi ngjarjen në fjalë, rezultoi se bashkautor në këtë ngjarje ka qenë edhe Admirim Elezi, 37 vjeç, banues në Durrës; edhe ky i dënuar më parë në Greqi për veprën penale të Vjedhjes.

Eshtë bërë shpallja në kërkim dhe po punohet me të njëjtin intensitet për kapjen e tij dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Sa u përket detajeve sesi ka ndodhur në të vërtetë grabitja, policia sqaron se në filialin e NBG Bank të ndodhur pranë kryqëzimit të rrugës “1 Maji” në Durrës, të maskuar dhe të armatosur, të lartpërmendurit kanë hyrë brenda ambienteve të bankës dhe nën kërcënimin e armës kanë mundur të grabisin aty një shumë të konsiderueshme parash dhe valute, euro dhe dollarë.

Më pas, policia arriti të sekuestrojë në cilësinë e provës materiale një pjesë e shumës së vjedhur prej 2.3 milion lekësh të reja, 2 pistoleta, veshjet e përdorura për maskim,

si edhe automjeti tip Ford Fiesta me targa TR 9071 P, i cili është përdorur nga autorët për largimin nga vendi i ngjarjes.

Materialet proceduriale iu dërguan prokurorisë së Durrësit për veprën penale të vjedhjes me armë në bashkëpunim.

n.e/NOA

KOMENTE