Tubimi festiv i FRPD, raportim direkt
Tiranë, 20 shkurt, NOA- Kryeministri Sali Berisha përmendi në fjalimin e tij për rrëzimin e komunizmit ngjarjen e datës 21 janarit, duke theksuar se ajo u ideua nga pinjollët e ish-Bllokut komunist.
“20 vite pas përmbysjes së etërve, më 21 janar të 2011 bijtë e tyre do të ishin të vetmit në Europën e pas luftës që u rreshtuan me gurë, drurë dhe zjarr dhe kërkuan të përmbysnin qeverinë ligjime dhe dështuan”, tha Berisha, duke shtuar se “21 janari u mësoi juve se vota është më e fortë se çdo gurë se çdo armë”.
Kreu i qeverisë ka theksuar se ata që flasin në emër të popullit nuk njohin votën e lirë të popullit.
“Bllokmenët që përmbysëm 20 vite më parë, çdo ditë flitnin për popullin dhe në emër të tij. Sot pas 20 vitesh njëlloj si etërit pinjollët e tij flasin për popullin. Ata nuk e kuptojnë se kurrë se populli nuk ka folur kurrë me zërin e tyre. Populli flet dhe do të flas me votën e tyre të lirë”, tha Berisha.
Ai u shpreh se 8 maji është takimi i radhës me votën e lirë dhe mazhoranca do t’u jap përgjigjen e duhur gjithë bllokmenëve. Ai u shpreh ish-bllokmenët nuk do të munden kurrë ta marrin me dhunë pushtetin. “E provuat më 21 janar dhe mos provoni kurrë ta provoni më. Rendi nuk përmbyset me dhunë”, tha ai.
a.k.NOA