Tiranë, 20 shkurt, NOA – Konfindustria ka kërkuar sot nga kreu i qeverisë ngritjen e një enti rregullator për karburantet, në mënyrë që të shmangen abuzimet dhe humbje në ekonominë e vendit.
“Konfindustria, duke marr shkak nga shenjat e dukshme të keqfunksionimit në vazhdimësi të tregut të karburanteve, i ka kërkuar së fundmi zyrtarisht Kryeministrit Z. Sali Berisha, krijimin dhe fillimin sa më të shpejtë të veprimit të Entit Rregullator të Karburanteve (ERK)”, tha sot Administratori i Konfindustria, Gjergj Buxhuku në një deklaratë për mediat.
Ai shprehet se institucioni në fjalë duhet të shërbej si vëzhgues dhe rregullator për çrregullimet dhe keqpërdorimet e “cilësisë”, “çmimeve” të karburanteve në qarkullim në Shqipëri sikundër edhe “liçensimet” e operatorëve në tregun strategjik të karburanteve si tregu më i madh në vend me qarkullim 850 milion-1 miliard euro/vit dhe me pasoja të drejtpërdrejta të dëmshme në kostot e biznesit, industrive dhe qytetarëve shqiptare.
“Konfindustria, në kushtet kur shteti shqiptar nuk ka më asnjë operator publik për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të rregulluar çrregullimet e tregut strategjik te karburanteve, kërkon ngritjen sa më shpejt të Entit Rregullator të Karburanteve. Shembuj të institucioneve të tilla i gjejmë jo vetëm në vendet e zhvilluara të BE dhe botës, por edhe në vende të rajonit tonë si psh Maqedonia”, tha Buxhuku.
Ai shprehet se janë rreth 150 milionë lekë dëme si pasojë e problemeve në këtë treg.
“Kostot shtesë të drejtpërdrejta nga “cilësia”, “çmimi” dhe abuzimet me “vëllimet” e shitjes për konsumatoret të krijuara në vazhdimësi nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve vlerësohen në mbi 150 milion/vit. Nëse llogariten edhe dëmet ekonomike në shëndetin publik, mjedis dhe makineri dhe pajisje dëmet ekonomike janë të papërballueshme për ekonominë kombëtare dhe rrezikojnë seriozisht rritjen ekonomike të vendit përfshi edhe parashikimin qeveritar në shifrat 6.5% në PBB për vitin 2011”, tha Buxhuku.
Nga ana tjetër ai shpreh vlerësimin për veprimet institucionale të ditëve të fundit të ndërmarra nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës për rritjen e kontrollit shtetëror me qëllim përmirësimin e funksionimit të tregut të karburanteve.
a.k.NOA