English

Dashuria në kohën e Facebook

Tiranë, 20 Shkurt 2011 NOA- Takohen, pëlqehen dhe dashurohen me njëri-tjetrin... dje dhe sot, por me një ndryshim të vogël: Facebook. Rrjetet sociale janë tani pjesë e jetës së përditshme të milionave njerëzve të cilët në një farë mënyre rregullojnë dhe ritmet e stinës së dashurisë. Sipas një sondazhi të kryer nga dy revista amerikane takimet on –line kushtëzojnë ato off-line.

Sipas mendimit të 1200 të intervistuarve rrjetet sociale kanë efektin të shtyjnë çiftet e reja të kryejnë marrëdhënie seksuale që në fillim. 4 në 5 femra dhe 3 në 5 meshkuj janë të bindur për këtë. Por kur bëhet fjalë për veten, vetëm 38% e femrave pranon të ketë shkuar në shtrat me një mashkull që në fillim, e kjo falë intimitetit të krijuar në botën virtuale. Megjithatë, edhe para ardhjes së Facebook, interneti ishte një mjet i përdorur gjerësisht për takime të tilla.

Po si mund të mundësh monotoninë në një marrëdhënie? Thjesht, me anë të teknologjisë. Pasioni mbahet i gjallë në sajë të smartphonit dhe laptopit. Sms-të kanë zëvendësuar praktikisht telefonatat: meshkujt i përdorin ato për të komunikuar me partnerët e tyre 39% më shumë se thirrjet telefonike, ndërsa femrat 150% më shumë. Me pak fjalë, në marrëdhëniet moderne, 65% e të anketuarve kanë pranuar se ftesën e parë e kanë marrë ndërmjet një sms-je dhe 49% me një mesazh në Facebook. Përveç kësaj, 5% e të anketuarve ka pranuar se në qoftë se janë në mes të një aktiviteti seksual vetëm i hedhin celularit një vështrim për të parë se kush telefonon dhe vetëm 1% përgjigjej. Dora e internetit ndjehet dhe në fundin e një lidhjeve: në fakt, 43% e femrave dhe 27% e meshkujve kanë pranuar se janë ndarë përmes një sms-je. Por në 75% të rasteve akoma ata vazhdojnë të hedhin një sy në profilin e ish-partnerit a partneres në Facebook.

Dhe Facebook:

Është vendi ku merr frymë lirisht. Ku rigjen dhe njeh njerëz, ndonjëherë edhe ato që nuk i do. Ku takohesh, ku gjen dikë a diçka, ose shpreson ta gjesh. Është vendi ku flirton, vendi i jetës së dytë dhe e vetes së dytë, qoftë edhe vetëm si një shaka. Është vendi i jo angazhimeve, ku ti ndihesh ti. Është vendi ku qan, qesh, ndoshta dhe bën dashuri. Është vendi ku pret gjithmonë të ndodhë diçka, që ndoshta nuk do të ndodhë kurrë. Është vendi i problemeve serioze, por dhe i shakave. Është vendi ku ju doni të kaloni pak kohë, para se të çoheni e të ktheheni në botën reale, atë të vërtetë. Gjithnjë nëse ajo është e vërtetë.

Në Facebook gjithçka është "në kontroll" dhe "gjithçka dhe menjëherë". Sepse në Facebook jemi të gjithë, ose pothuajse të gjithë.

Është koha jonë, edhe e asaj që humbim në kërkim të diçkaje që nuk e kemi gjetur ende. Po, a do ta gjejmë? Ndoshta.

a.e./NOA

KOMENTE