Teheran, 20 shkurt, NOA - Dy reporterët gjermanë të arrestuar në Iran për shkelje të rregulloreve të vizës janë në liri, konfirmoi një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin.
Ata po shoqërohen nga punonjës të konsullatës gjermane në Tebris dhe pritet që të shtunën të mbërrijnë në Teheran, njofton Ministria e Jashtme. Dënimi me heqje lirie deri në 20 muaj i dy reporterëve u kalua në një gjobë prej 36.000 eurosh për person.
Të dy gazetarët e gazetës së njohur gjermane "Bild am Sonntag", u arrestuan në tetor të vitit të shkuar pas përpjekjes së tyre për të intervistuar djalin dhe avokatin e Sakineh Mohamadi Ashtianit, të dënuar me vdekje me goditje me gurë për shkak të tradhtisë bashkëshortore.
NOA/DV