English

Meta në Berat: Në 8 maj do dënohet zjarrëvënësi i demokracisë dhe politika e dhunës

Berat, 20 shkurt 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrimi, Ilir Meta i shoqëruar nga deputeti Nasip Naço është ndalur sot në turin e tij paraelektoral në qytetin e Beratit dhe Skraparit.

Gjatë fjalës së mbajtur para mbështetësve Meta shtoi se, “zgjedhjet e 8 majit janë të rëndësishme për komunitetin dhe jetën e banorëve ndaj duhet mobilizim për të arritur objektivin e 2-fishimit të rezultatit zgjedhor”.

Sipas tij, LSI është gati për fitoren dhe 8 maji do të jetë dita e çmontimit të politikës së dhunës ”.

Meta u shpreh se koalicioni qeverisës vjen në këtë fushatë me një bilanc mjaft pozitiv dhe të prekshëm nga gjithë shqiptarët.

Ai e cilësoi koalicionin e integrimit si koalicionin që u dha qytetareve dinjitet në Evropë.

Gjithashtu Meta shprehu keqardhje për lidershipin e opozitës që sipas tij, “ është për të ardhur keq, se në këtë 1 vit e gjysmë lidershipi i opozitës, jo vetëm që ka bërë gjithçka për të penguar reformën e procesit të integrimit Europian, dhe jo vetëm në përmbushjen e detyrimeve të heqjeve të vizave por dhe ka bërë gjithçka ka mundur për tu sjellë në mënyrën më destruktive për të dëmtuar zhvillimet ekonomike në vend që do të thotë për të dëmtuar mirëqenien e çdo qytetari shqiptarë.

“Në kulmin e krizës evropiane dhe botërore financiare, në kulmin e problemeve të sistemit bankar në vendet fqinje, pikërisht atëherë ishte lidershipi i opozitës sot që godiste, atakonte dhe provokonte kredibilitetin e sistemit bankarë në vend duke u përpjekur për të krijuar panik, që në fund të fundit nuk është dëmtonte thjesht bankat dhe stabilitetin financiar të vendit,” u shpreh Meta.

Sipas tij, vendi ku të gjithë qytetarët e botës demokratike kërkojnë zgjidhjen e problemeve është pikërisht Parlamenti, atje për të cilin ata votojnë një herë në katër vjet për t’i besuar përfaqësuesit e tyre.

Meta theksoi gjithashtu se, natyrisht që qeveria ka një përgjegjësi të madhe për vendin por që absolutisht që opozita ka një përgjegjësi edhe më të madhe sepse ajo duhet të jetë si në çdo vend demokratik alternativa e së nesërmes, por shtoi ai kjo nuk është alternativa që presin Shqiptarët.

“Është vërtet fatkeqësi për një vend kur opozita e tij, që duhet të jetë alternativa e së ardhmes, është përfaqësuese e së shkuarës, përfaqësuese e kohëve të izolimit të Shqipërisë, përfaqësuese e kohëve kur mbaheshin fjalime kundër Bashkimit Evropian dhe kundër imperializmit amerikan. Është fatkeqësi kur opozita është përfaqësuese e alternativës së kohës kur në Shqipëri përdorej dhuna kundër institucioneve”, deklaroi kreu i LSI-së

Në përfundim Meta shprehu bindjen se, “kjo në fund të fundit është në radhë ta parë kriza e lidershipit të opozitës dhe jemi të bindur se të gjithë socialistët e ndershëm dhe patriotë absolutisht që do të izolojnë këta zjarrvënës të demokracisë, të institucioneve dhe të ardhmes evropiane të vendit. Shqipëria është mbi çdo gjë jo vetëm për LSI-në por jam i bindur për të gjithë shqiptarët. Ndërsa shqipfolësit le të vazhdojnë punën e tyre duke mbetur në izolim dhe në mjerim të plotë jo për fajin tonë por për faj të mendjeve të sëmura, të ambicieve të papërgjegjshme që ata kanë dhe në fund të fundit për faktin sepse nuk arrijnë dot që nga shqipfolës të bëhen edhe shqiptarë dhe ky nuk është faji ynë”.

Ndërkaq Meta është shprehur me mjaft optimizëm për fitoren e zgjedhjeve vendore të 8 majit, duke e mbështetur këtë optimizëm tek puna e mirë e strukturave të LSI-së jo vetëm në këto qytete por edhe në të gjithë vendin.

a.y/NOA

[media id=151 width=600 height=440]

KOMENTE