Lezhë, 20 shkurt 2011, NOA – Gjatë ngushëllimeve të tij në familjen e demonstruesit të vrarë Aleks Nikaj, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama u tha familjarëve të Aleks Nikaj se drejtësia duhet të vihet në vend, duke vënë përballë saj përgjegjësit e vrasjeve të 21 janarit. “Për një gjë jam absolutisht dakort, që drejtësia duhet të bëhet patjetër”, tha shefi i opozitës Edi Rama, kur i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda dhe nëna, Aneta i shprehu hidhërimin e tij familjes Nikaj, që humbi djalin në moshën 36-vjeçare, i cili la pas, pa baba, dy vajza, njërën 3 vjeç dhe tjetrën vetëm 1 muajshe.
Kryesocialisti Rama duke folur për demonstruesit e vrarë në 21 janar nga armët e Gardës së Republikës, e ndau përgjegjësinë për 21 janarin në pak koka, duke theksuar se “PD është fjalë shumë e gjerë dhe përfshin shumë njerëz të mirë e njerëz të ndershëm”.
Sipas Ramës qytetarët kanë të gjitha arsyet të kenë ato mendime e ato simpati që kanë për parime e për vlera të djathta, porse këto parime e vlera sikundër tha Rama nuk kanë të bëjnë me PD-në.
Lideri i opozitës u tha familjarëve se PD është uzurpuar nga një grusht njerëzish, të cilët me regjimin e tyre të kusarisë e kanë kthyer Partinë Demokratike në kalë të betejës së tyre për përfitime.
Ai i garantoi familjarët e demonstruesit të vrarë se do t’u qëndronte në krah.
“Mbani mend që për çfarëdo lloj gjëje që unë mund të jem në vend të djalit dhe të vëllait, mos kini asnjë ngurim, jam në dispozicion me gjithçka që unë kam mundësi me gjithë shpirt”, premtoi zoti Rama.
Ndërkohë babai i Aleks Nikaj, me lotë në sy tha se “Shoh që janë duke u vrarë e sakatuar njerëzit kot, pa asnjë lloj lufte. Se të ishte vrarë djali im në Irak, sot më shikoje duke qeshur, së është luftë. Se nuk ka kafe në luftë, ka plumb ose pistoletë. Të jem shkrimtar s’di ku ta filloj librin për ta shkruar”, rrëfeu i ati i Nikaj.
Ndërsa xhaxhai i Aleks Nikaj ishte më i ashpër në fjalët e tij, duke nënvizuar se duke qenë se Aleksi tashmë i përket gjithë Shqipërisë, nuk do të gjejnë kurrë paqe deri sa të zbulohet e vërteta.
“Do bëjmë përpjekje dhe individualisht që të zbulojmë cila është e vërteta e vrasjes së tij. Deri diku kemi arritur në një përfundim që është bërë në mënyrë selektive për ta hequr qafe, nga segmente të PD, që kanë rekrutuar edhe njerëz apostafat për të krijuar këtë situatë në Shqipëri, për të vrarë njerëz të pafajshëm. Ky është një shtet kriminal, si mund të bisedosh me një shtet që të vret?”, tha xhaxhai i Aleks Nikaj.
Bashëshortja e Kryetarit të Partisë Socialiste, Linda Rama shprehu edhe ajo dhimbjen e saj për demonstruesin e vrarë duke thënë se “Unë jam motër vetë, kam vëlla, e di se çfarë dhembshurie ka motra për vëllain. Motrat e Aleksit, e di shumë mirë se çfarë ndiejnë. Është një dhimbje që nuk do t’i shërohet. Nusja e Aleksit do ketë një mikeshë shumë të mirë gjithë jetën e saj”, i premtoi asaj, zonja Rama.
Shefi i opozitës ishte në fshatin e lindjes dhe aty ku banon familja Nikaj në fshatin Grykë-Manati të Lezhës.
Aleks Nikaj është demonstruesi i katërt i vrarë në 21 janar.
Ai u plagos në të premten e 21 janarit me një plumb në kokë, kur ishte ndërtesës së kryeministrisë.
Plumbi i cili i përshkoi kokën i shkaktoi vdekje klinike, dhe pas dërgimit për ndërhyrje të specializuar në Turqi, 36-vjeçari Aleks Nikaj u nda përfundimisht nga jetë në 5 shkurt në spitalin turk.
mit/NOA