Prishtinë, 20 shkurt, NOA - Partitë politike që kanë siguruar vende në Kuvend gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare janë duke u përcaktuar për pozicionimet e tyre në raport me seancën plenare, në të cilën pritet të votohet për presidentin dhe qeverinë e re të Kosovës.
Nga tabori opozitar, jozyrtarisht është paralajmëruar edhe mundësia që në momentin e votimit për presidentin e ri, të lëshohet salla e Kuvendit. Por, grupi më i madh opozitar, ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk e ka një disponim të tillë.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, thotë se LDK-ja njihet si parti që nuk i bojkoton proceset.
“Në LDK nuk është diskutuar për diçka të tillë (bojkotim të votimit)... Ju e dini që LDK-ja, në parim, nuk është parti që bojkoton proceset”, thotë Shala.
Zgjedhja e presidentit të Kosovës shihet si më sfiduese krahasuar me qeverinë. Disa nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, kohë më parë, kanë shprehur haptas rezerva ndaj kandidaturës së Behxhet Pacollit.
Mirëpo, mbetet të shihet nëse marrëveshja e kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, me Behxhet Pacollin dhe AKR-në i ka zbutur këto qëndrime.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, thotë se nuk duhet të ketë dilema nëse PDK-ja do të votojë apo jo si grup parlamentar unik.
“Ne jetojmë në demokraci dhe nuk e kemi logjikën e njëmendësisë, por e kemi logjikën e funksionimit partiak. Është hapur shumë dilemë për këtë, por PDK-ja është parti serioze dhe është parti, e cila atë që e nënshkruan, edhe e respekton”, thotë Kuçi.
Zgjedhja e presidentit besohet se mund të ndodhë vetëm në rrethin e tretë të votimit, kur nuk kërkohen dy të tretat e votave, por shumica prej 61 votave të deputetëve.
Bazuar në përvojën nga ish-presidenti Famir Sejdiu, i cili, për shkak të mbajtjes së dy posteve u detyrua të japë dorëheqje nga posti i presidentit, ngaqë Gjykata Kushtetuese e kishte interpretuar atë veprim si shkelje kushtetuese, Pacolli pritet të mos e bëjë një gabim të ngjashëm.
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se çështja është vetëm nëse Pacolli do të japë dorëheqje nga kryetari i AKR-së para apo pas zgjedhjes së tij në postin e presidentit të Kosovës.
“Zoti Pacolli, në momentin e zgjedhjes - edhe pse tash ne ende nuk e kemi vendosur se a do ta bëjë këtë para se të zgjidhet apo në momentin e zgjedhjes - do të japë një deklaratë publike dhe me shkrim se heq dorë nga posti i kryetarit të AKR-së. Zoti Pacolli do ta respektojë që në start këtë obligim kushtetues”, thekson Gashi.
Kuvendi i Kosovës tashmë ka thirrur seancën e parë konstituive për të hënën. Kjo do të jetë legjislatura e katërt e Kosovës.
Karakteristike për institucionet e reja, sidomos qeverinë, është se ajo ka një mbështetje më të vogël në Kuvend, përderisa opozita tani konsiderohet shumë më e fuqishme se në legjislaturat paraprake.
NOA/rel