English

Vetëvendosja: Jakup Krasniqi shkeli Kushtetutën të premten

Prishtinë, 20 shkurt 2011, NOA – Lëvizja Vetëvendosja e akuzoi sot Ushtruesin e Detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, se ka shkelur kushtetutën duke nominuar të premten e 18 shkurtit, Hashim Thaçin si mandatar për formimin e Qeverisë së re. Vetëvendosja iu referua nenit 84 të Kushtetutës aktuale të Republikës së Kosovës, dhe pikës 14 të saj, ku sipas Kushtetutës “Presidenti i Republikës së Kosovës e cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit”.

Ishte pikërisht kjo pikë e këtij neni që sipas Vetëvendosjes e bën vendimin e Krasniqit antikushtetues.

Kjo lëvizje bën me dije se vendimi i Krasniqit u lëshua kur nuk ekzistonin ende marrëveshjet për koalicion midis PDK-së dhe AKR-së, PDK-së e SLS-së dhe PDK-së e Grupit për Integrim.

Sipas Vetëvendosjes këto marrëveshje u bënë të nesërmen, më 19 shkurt 2011.

“Duke qenë se PDK-ja nuk është parti që përbën shumicën e Kuvendit dhe duke qenë se me datën 18 shkurt 2011 nuk ekzistonte as koalicioni që përbën shumicën e Kuvendit, Jakup Krasniqi nuk ka pasur të drejtë që ta nominojë Hashim Thaçin. Me këtë vendim Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, argumenton Vetëvendosja në deklaratën e saj.

Ndërkaq Vetëvendosja risolli në vëmendje edhe pikën 25 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, që pas dorëheqjes së Presidentit Fatmir Sejdiu, në vendim nënvizon se “Ushtruesi i Detyrës së Presidentit nuk është President i zgjedhur dhe herë pas here mund të ngrihen pyetje lidhur me kompetencat e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit. Asnjë çështje e tillë nuk është ngritur në këtë kërkesë”, duke argumentuar se “Ushtruesi i Detyrës nuk mund të jetë President me kompetenca të plota”.

“Ushtruesi i Detyrës së Presidentit nuk përfaqëson unitetin e popullit – ai njëkohësisht mban edhe postin e Sekretarit të Përgjithshëm të partisë. Prandaj, është kontestuese kompetenca e Ushtruesit të Detyrës së Presidentit për nominimin e mandatarit për formimin e Qeverisë përderisa nuk jepet interpretim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese”, thekson Lëvizja për Vetëvendosje.

Ajo akuzon udhëheqësit politikë të Kosovës se pasi hartuan një Kushtetutë pa debat parlamentar e pa referendum gjithëpopullor, janë po ata që po e shkelin edhe vetë kushtetutën e vetmiratuar sipas leverdisë politike.

mit/NOA

KOMENTE