Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA – “Planifikimi i aftësive të Mbrojtjes 2010” do të jetë në qendër të takimit të përfaqësuesve të NATO-s, i cili sikundër bën me dije zyra e shtypit të Ministrisë së Mbrojtjes do të zhvillohen të martën në orën 09:00, në ambjentet e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, në Shkollën e Bashkuar, një takim që do të vijojë deri në datën 23 shkurt.
Qëllimi i këtij takimi është diskutimi i pyetësorit të planifikimit të mbrojtjes që vendi ynë ka dorëzuar pranë Shtabit Ndërkombëtar (IS) të NATO-s, i dorëzuar në muajin gusht të vitit 2010.
Por në vëmendje të takimit do të jetë edhe realizimi i politikave dhe planeve të mbrojtjes.
Sipas MM-së të pranishëm në këtë aktivitet do të jenë autoritetet më të larta të Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm, si dhe përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave etj.
Ekipi i NATO-s, në përbërje të të cilit ka 14 ekspertë të planifikimit në fusha të ndryshme, kryesohet nga Frank Boland, Drejtor i Planifikimit të Forcës në Divizionin e Planifikimit, në Shtabin Ndërkombëtar (IS), të NATO-s.
NOA