English

66 vendet vakante në KZAZ, KQZ diskuton sot çështjen

Tiranë, 21 shkurt, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë gjatë mbledhjes së tij të sotme çështjen e vendeve të mbetura bosh në konstituimin e Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor, në kuadër të zgjedhjeve lokale të 8 Majit.

Bëhet fjalë për 66 të tilla të cilat janë krijuar pasi dy partitë e opozitës, Partia Socialiste dhe ajo e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut ende nuk kanë paraqitur propozimet e tyre lidhur me përbërjen e tyre.

Dy partitë të cilat i kanë dorëzuar ato, deri tani janë vetëm Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani ka pohuar lidhur me një fakt të tillë, se partitë politike kanë shkelur ligjin në mënyrë flagrante, duke i mos sjellë propozimet dhe shkelja e ligjit penalizohet. Data 7 shkurt ishte afati i fundit, brenda së cilit katër forcat politike, PD, PS, LSI dhe PBDNJ, duhet të propozonin anëtarë në KZAZ.

Kodi zgjedhor, në nenin 29 të tij, pika 5, përcakton se "nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës".

n.e/NOA

KOMENTE