English

Arrestohet grabitësi i katërt i "NBG Bank"

Durrës, 21 shkurt, NOA – Pasi deri tani ka arrestuar tre autorë të grabitjes së bankës greke “NBG Bank” në rrugën “1 maji” të Durrësit, policia ka arritur të ndalojë edhe personin e katërt të dyshuar për bashkëpunim në këtë ngjarje.

Lajmi bëhet me dije paraprakisht për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime të policisë së Durrësit, sipas të cilave, policia ka sekuestruar gjithashtu edhe 12 mijë euro si edhe 4 mijë dollarë.

I ndaluari mësohet se është Gentian Taipi, 36 vjeç dhe është arrestuar në flagrancë, në qytetin e Vlorës, orët e para të mëngjesit të sotëm.

Ndërkaq, ditën e djeshme u konfirmua edhe arrestimi i personit të tretë i njohur si autor i kësaj grabitje, Admirim Elezi 37 vjeç, i cili u arrestua po ashtu, në qytetin e Vlorës. Kurse dy ditë më parë policia ka vënë në pranga edhe Romeo Dopellin, 24 vjeç dhe Dasho Jaupllari 41 vjeç, banues në Tiranë, si dy autorët e tjerë të ngjarjes së ndodhur më 18 shkurt, kur të tërë këta persona kanë hyrë të maskuar dhe të armatosur, brenda ambjenteve të bankës greke “NBG Bank” në Durrës dhe nën kërcënimin e armës kanë mundur të grabisin aty një shumën prej 24 mijë euro, 6 mijë dollarë si dhe 600 mijë lekë të reja, para dhe valutë (Euro dhe Dollarë).

n.e/NOA

KOMENTE