English

“Ashta 2” kap 24 vjeçarin e dënuar me 11 vjet burg për vrasje në tentativë

Shkodër, 21 shkurt 2011, NOA – Uniformat blu të Shkodrës prangosën para pak minutash një 24-vjeçar i dënuar me 11 vite burg për një vrasje të mbetur në tentativë. 24-vjeçari Tonin Mandi banues në fshatin Bardhaj të Shkodrës u arrestua falë operacionit të koduar “Ashta 2”, i finalizuar me sukses sot në orën 15.20 nga efektivët e Komisariatit të Policisë së qarkut të Shkodrës.

Uniformat blu të qytetit verior e nadluan Tonin Mandin për shkak se ai ishte shpallur në kërkim që në 03.05.2008, për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë dhe armëmbajtjes pa leje.

Tonin Mandi kishte tentuar të vriste me armë zjarri tre vjet më parë kushëririn e tij shtetasin me iniciale M. Mandi.

Tentativa e vrasjes kishte ardhur për motive të dobëta.

Ndërkohë Gjykata e Rrethit të Shkodrës e dënoi Tonin Mandin për këtë vrasje të mbetur në tentativë me 11 vite burg, një vendim i marrë në 28.07.2009.

Kapja e 24-vjeçarit Tonin Mandi u bë në fshatin Stajkë, të Komunës Bushat në Shkodër.

Tashmë materialet në ngarkim të Tonin Mandit i kalojnë për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Shkodrës.

mit/NOA

KOMENTE