English

Bashkia e Tiranës: Berisha e ka të humbur Tiranën sa herë të garojë

Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA – Akuzave të shefit të mazhorancës Sali Berisha u është kundërpërgjigjur edhe Bashkia e Tiranës, e cila nga ana e saj e akuzon Kryeministrin Berisha si të vetmin në botë që shan pasi të vret.

Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës Florion Serjani i ka rithënë kryeministrit Berisha se ai e ka të humbur bashkinë e kryeqytetit sa herë që do garojë për të.

“Në lumin e zi të sharjeve të tij nuk mungojnë të sharat për Bashkinë e Tiranës, ku ai ka humbur e do të humbasë sa herë të garojë, sepse është i papajtueshëm me kryeqytetin dhe qytetarët e tij”, tha Serjani.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzave për korrupsion të lëshuara nga Kryeministri Berisha kundër kryebashkiakut Edi Rama, Zëdhënësi i BT-së theksoi se “jo vetëm Tirana, por e gjithë Shqipëria e ka parë bllokun e ndyrë të koalicionit të turpit”.

Serjani në emër të kryeqeveritarit të Tiranës nënvizoi se pas dështimit të tij si Kryeministër dhe vrasjeve të 21 janarit, Sali Berishës i ka mbetur vetëm një rrugëdalje, “Ai duhet vetëm të largohet!”, tha zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE