Tiranë, 21 shkurt, NOA, Update – Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot kryetarin e Partisë Socialiste dhe të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për korrupsion me lejet e ndërtimit në kryeqytet.
Në deklaratën e tij, Berisha ka theksuar se fakti që Rama nuk hetohet dhe s’ka asnjë dosje në organin e akuzës për të, tregon se ndan paratë me ata që kanë për detyrë të zbardhin të vërtetën.
“Rama është zyrtari i vetëm që është akuzuar nga biznesmen dhe ndërtues se ka kërkuar 1 milion, apo 600 mijë euro, për atë apo këtë leje ndërtimit.
Vetëm dy muaj më parë doli në dritën e diellit kontrata 20 %, nuk ishte një copë letër, por pallate 35 katëshe. Korruptuesit e shtetit që ndajnë para më te, deri sot, deri në këtë moment, nuk kanë pyet as edhe një herë të vetme dhe e dini pse, sepse nëse do e pyesnin, nuk kishin asnjë rrugë tjetër veçse ta merrnin të pandehur”, tha Berisha.
Ai e cilësoi kreun e PS-së, si “bailozin e zi të korrupsionit”, i cili sipas tij u ka dhënë vetëm dy firmave 70 % të lejeve.
Ai u shpreh se situatën e zgjidh vetëm 8 majit dhe ka kërkuar nga deputetët Basha dhe Bumçi të përgatisin projektet për fushatën. “Do e zgjidhim në mënyrën më demokratike, më të qytetëruar, më datën 8 maj”, tha Berisha.
a.k/NOA