English

FRESSH proteston para MB: Basha të japë dorëheqjen

Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA Update – Nën mbikëqyrjen e forcave të Policisë së Shtetit, të rinjtë e Forumit Eurosocialist protestuan sot në mesdite para godinës së Ministrisë së Brendshme duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Lulzim Basha si dhe të kryeministrit Berisha, duke i konsideruar ata si përgjegjës për vrasjen e katër demonstruesve të 21 janarit.

Duke përkujtuar njëmujorin e ngjarjes së 21 janarit, të rinjtë pjesëmarrës hodhën parrulla të tilla si: “Ik vrasës, në përkujtim të katër demonstruesve”, thirrën eurosocialistët dhe simpatizantët e Partisë Socialiste, duke rikujtuar ata që u qëlluan për vdekje në 21 janar, gjatë demonstratës së opozitës.

Të rinjtë eurosocialistë kërkuan vënien para drejtësisë të autorëve që urdhëruan vrasjen e katër qytetarëve të pafajshëm më 21 janar.

Një studente e pranishme në protestë akuzoi se “Një muaj si sot qeveria vrastare me në krye Sali Berishën grabiti jetët e 4 njerëzve të ndershëm, të cilët njësoj si ne protestonin për atë demokraci të mohuar, për një jetë më të mirë e për pak shpresë”.

“Zoti Basha, që zotëri nuk meriton të quhesh, ne sot jemi mbledhur këtu dhe jemi thjesht të mbijetuarit e ngjarjes së 21 janarit. Ajo ditë e cila nisi me shpresë për shqiptarët u përmbyll me një tragjedi të tmerrshme nga kryeministri i cili e vrau dhe rrahu barbarisht popullin e tij”, tha studentja, duke e akuzuar Ministrin e Brendshëm Lulzim Basha si një burratin në duart e kryeministrit Berisha.

“Ju Ministër i Brendshëm duhet të largoheni nga ajo karrige e pushtetit gjakatar e të viheni para drejtësisë”, bëri thirrje eurosocialistja.

mit/NOA

KOMENTE