New York Times Mijëra burra bllokuan rrugën dhe rrethuan makinën ku gjendej shefi i drejtësisë pakistaneze, i cili po shihej si hero kombëtar, pasi i kishte bërë ballë regjimit ushtarak. Si korrespondeete e gazetës “The Chicago Tribune” e dija se nuk mund të rrija e ngujuar në makinë e të shihja nga dritarja se çfarë po ndodhte.
Me shami në kokë e veshje tradicionale mbi xhinsa iu afrova turmës duke marrë shënime për ata që hidhnin petale trëndafilash mbi shefin e drejtësisë apo të tjerë që thërrisnin se do të jepnin jetën për të.
Papritur dikush më rrëmbeu bllokun e shënimeve. Derisa blloku kalonte dorë më dorë unë arrita të kapë njërin nga sulmuesit dhe e qëllova në fytyrë. Burrat vazhduan të merrnin bllokun tim e unë vazhdoja të qëlloja me grushte. Meqë krijova një trazirë përreth meje tërhoqa vëmendjen e shefit të drejtësisë pakistaneze, i cili më morri në makinën e tij.
Në qershor të 2007-ës gjithë kjo skenë ishte pjesë e të punuarit si gazetare në Pakistan, ndaj nuk u ankova tek shefat, që të mos dukesha e dobët. Më shumë incidentin e tregoja si shaka. Dhe në fakt atë ditë isha me fat, pasi shumë korrespondente femra nuk e kishin pasur atë mundësi.
Jo rrallë korrespondentet ngacmoheshin seksualisht në dhomat e hoteleve apo sulmoheshin nga banditë. Por asnjëherë nuk jemi ulur që të flasim për këto përvoja, thjesht i kthenim në humor të zi. Arsyeja qëndron në faktin se histori të tilla bëjnë që gazetaret femra të duken të ndryshme nga kolegët e vetë meshkuj, të duken më të dobëta. Kurrë nuk u flas shefave të mi për frikën që ndiej.
Dhe unë nuk jam e vetme në heshtjen time. Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve mund të jetë në gjendje të thotë se 44 gazetarë u vranë gjatë një viti në të gjithë globin, por nuk kanë të dhëna për dhunimet dhe krimet e tjera seksuale ndaj gazetareve. Shumica e gazetareve nuk i raportojnë krime të tilla.
Korrespondentja e CBS, Lara Logan e theu kodin e heshtjes. Ajo ka mbuluar ndër pikat më të nxehta të globit dhe ka bërë plot gjëra të guximshme në karrierën e saj. Por vendimi për të nxjerrë në publik sulmin dhe përdhunimin që iu bë nga banditët në sheshin Tahrir të Kajros ishte akti i saj më i guximshëm. Pas sulmit ajo qëndroi në spital për mjekim për disa ditë, për shkak të sulmit të cilësuar si brutal.
Ka pasur nga ata komentatorë që kanë lënë të kuptohet që ishte disi dhe faji i gazetares Logan, pasi ajo është bukuroshe, kishte vendosur të shkonte tek turma dhe ka një lloj varësie profesionale nga luftërat. Ky nuk ishte faji i saj. Ishta faji i gangsterëve. Ky sulm nuk ka asgjë të bëjë me islamin. Dhuna seksuale gjithmonë ka qenë një armë në luftë. Gazetaret e luftës janë ndonjëherë preja e përshtatshme.
I druhem faktet se konkluzionet që do dalin nga përvoja e zonjës Logan do të jenë të tilla që nuk do t’i lejojnë gazetareve të shkojnë në zona të rrezikshme. Është e mundur që në mënyrë të pavetëdijshme shefat të vendosin për dërgimin e gazetarëve meshkuj në zona konflikti. Kjo do të pengonte të shihnim zërat e grave nga zonat e luftës, zëra që pa korrespondentet femra do të mbeteshin të panjohura për publikun e gjerë.
Nga ana tjetër ka dhe një përfitim nga incidenti ndaj gazetares Logan. Duke qenë një person i njohur dhe duke folur hapur për atë që i ndodhi ajo dërgon mësimin tek gratë e tjera viktima të përdhunimeve se nuk është faji i tyre dhe nuk është turp të flitet për atë që ka ndodhur.