English

Haxhinasto-Inkiriwang: Të forcohet bashkëpunimi Shqipëri-Indonezi

Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto është takuar sot me Ambasadorin e Republikës së Indonezisë në vendin tonë Immanuel Robert Inkiriwang, i cili është rezident në kryeqytetin e Bullgarisë, Sofje. Zoti Haxhinasto dhe Inkiriëang vunë në dukje nevojën e vendosjes reciproke të Konsujve të Nderit, si hapi i parë drejt mundësisë së hapjes së Përfaqësive diplomatike në të ardhmen në të dy vendet me synim thellimin e bashkëpunimit të shumëanshëm mes Shqipërisë dhe Indonezisë.

Në përfundim të misionit diplomatik të Inkiriwang, gjatë takimit me kreun e diplomacisë shqiptare Haxhinasto, të dy bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet e mira dhe miqësore që ekzistojnë mes Shqipërisë dhe Indonezisë.

Palët shprehën vullnetin për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve në fushën ekonomike, kulturore dhe konsullore, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve tregtare, investimeve, zhvillimin e turizmit dhe shkëmbimeve kulturore.

Po ashtu u vlerësua nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit edhe në kuadër të organizatave ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë Ministri Haxhinasto i kërkoi diplomatit indonezian mbështetje në njohjen e pavarësisë së Kosovës, si një realitet i ri dhe faktor paqeje e stabiliteti në rajon.

mit/NOA

KOMENTE