English

Konkurs për mbrojtjen e gjuhës shqipe

Tiranë, 1 shkurt, NOA – Kompania e telefonisë celulare “Eagle Mobile” ka zgjedhur Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare për të prezantuar projektin e saj në lidhje me përdorimin e drejtë të gjuhës shqipe.

Ky projekt zhvillohet në formën e një konkursi, ku do të promovohet krijimtaria dhe përdorimi korrekt i gjuhës sonë, sipas rregullave të sintaksës dhe morfologjisë.

Në këtë konkurs do të mund të marrin pjesë të gjithë nxënësit apo gjimnazistët nga mosha 10 deri në 18 vjeç.

Nga ky projekt do të dalin 4 fitues për 4 grupmosha të ndryshme. Përkatësisht, do të ketë dy çmime për dy nxënës nga shkollat nëntëvjeçare dhe dy çmime të tjera për nxënës nga shkollat e mesme. Çdo çmim do të ketë një vlerë prej 500 eurosh.

Të gjitha punët e krijimtarisë do të vlerësohen nga juria e përbërë nga 5 personalitete të spikatura të gjuhës dhe letërsisë shqipe, si dhe të fushave që kanë të bëjnë me arsimin.

Kushtet për të marrë pjesë në këtë aktivitet janë si më poshtë:

Mosha nga 10 vjeç deri në 18 vjeç;

Krijimi duhet të jetë tregim i shkurtër (hartim), ese ose vjershë;

Tema “TË MBROJMË SHQIPEN TONË TË BUKUR”;

Shkrimi duhet të jetë jo më shumë se 2 faqe A4*;

Lloji i shkrimit Times New Roman;

Madhësia e gërmës 12;

Në fund të faqes duhen shkruar gjeneralitetet (Emër Mbiemër, Vendbanimi; Vendlindja; Mosha; Numër kontakti personal ose i prindit; e-mail personal ose i prindit).

*Nëse krijimi dorëzohet me shkrim dore, shkrimi duhet të jetë lehtësisht i kuptueshëm, ndryshe rrezikon skualifikimin.

Krijimet tuaja jeni të lutur t’i dërgoni në adresën:

Rruga “Murat Toptani”,

Qendra Eurocol,

Eagle Mobile, kati IX

ose te koordinatorja e këtij projekti, znj. Evis Tasellari në: evis.tasellari@eaglemobile.al

NOA

KOMENTE