Shkup, 21 Shkurt 2011 NOA/ Zulejha Ramadani – “Evropa nuk do të ishte e bashkuar pa përfshirjen e vendeve të Ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian”. Deklarata është bërë sot në Shkup, nga deputeti i Parlamentit Evropian dhe raportues për Maqedoninë, ish-ministri i jashtëm sllovak Eduard Kukan.
Ai po qëndron për vizitë në Shkup, ku ka kryer takime me drejtues të shtetit dhe forcave kryesore politike.
Duke u ndalur te vendi që vizitoi, Kukan tha se Maqedonia i përket familjes evropiane dhe vlerësoi se nëse emri zgjidhet sot, Maqedonia do të marrë datë për fillimin e negociatave.
"Po, ne ju duam në BE, në familjen evropiane. E presim përcaktimin e ditës për fillimin e negociatave për hyrje shumë gjatë dhe shpresojmë se do të jetë e mundshme për ju që të filloni negociatat dhe të bëheni anëtare e BE-së”, - tha Kukan në takimin me zëvendëskryeministrin për Eurointegrime Vasko Naumovski.
“Kjo nuk është e mirë jo vetëm për Maqedoninë edhe për rajonin, - vijoi ai, - por edhe për Bashkimin Evropian, sepse nuk mund të flisni për një Evropë të bashkuar pa inkuadrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Kukan ka vizituar edhe disa institucione në të cilat zbatohet procesi i reformave. Ai mbajti leksione me ftesë së Unionit Panevropian të Maqedonisë të titulluar "Përvojat dhe rruga e kaluar e Sllovakisë në procesin e BE-së, mësimet e mësuara", ndërsa pasdite mbajti një fjalim para anëtarëve të Këshillit kombëtar për Eurointegrim.
Në takimin me zëvendëskryeministrin Abdilaqim Ademi, eurodeputeti Eduard Kukan ka dëgjuar informacionin për dinamikën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ademi ka theksuar se kjo marrëveshje i ka vendosur bazat e një shteti shumetnik, të barabartë për të gjithë qytetarët dhe se Qeveria e Maqedonisë është e përkushtuar në implementimin e këtij dokumenti që paraqet një nga kushtet për integrimin e vendit në strukturat euro-atlantike.
Ndërsa Kukan i vuri theksin rëndësisë së zbatimit të Marrëveshjes kornizë si një nga kushtet për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian.
Ai si anëtar i Grupit të miqve të Maqedonisë në Parlamentin Europian theksoi edhe rëndësinë e proceseve reformuese në vend në kontekst të eurointegrimeve.
Dy bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit si pengesë e fundit që vendi të integrohet drejt familjes së madhe evropiane.
z.r/NOA