English

LSI: Zgjedhjet s’bllokohen nga trillet e cilitdo kryetar bashkie

Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA – Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili në mungesë të paraqitjes së emrave të përfaqësuesve të opozitës për zgjedhjet vendore të 8 majit shpalli sot vakante 66 vendet për komisionerë të KZAZ-ve, vende që sipas ligjit i takojnë dy partive të opozitës, Partisë Socialiste dhe Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama në një konferencë të posaçme theksoi se “Vendimi i sotëm i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për t’i çelur udhë në mënyrë ligjore realizimit të procesit zgjedhor të 8 majit është veprimi i duhur dhe përgjigja ligjore për veprimtarinë antiligjore dhe në kundërshti edhe me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it për të realizuar zgjedhje korrekte, zgjedhje të lira e të ndershme dhe të pakontestuara”.

LSI e cilësoi këtë vendim si të bazuar në kodin zgjedhor të miratuar nga Partia Socialiste dhe Paria Demokratike, tre vjet më parë.

“Aq më tepër që është propozim i bërë nga vetë Partia Socialiste dhe nga ana tjetër çelja udhë e realizimit në përputhje me kodin zgjedhor të zgjedhjeve të 8 majit është edhe përgjigja më e mirë për cilindo që synon apo tenton të imponohet për të mos realizuar në kohë zgjedhjet në funksion të mbajtjes në mënyrë antikushtetuese të ombrellës së pushtetit korruptim ku ka fshehur kokën cilido kryetar bashkie qoftë ai”, tha Luan Rama.

Ai theksoi se realizimi i zgjedhjeve të 8 majit nuk është çështje e qejfit të një kryetari bashkie, por është detyrim kushtetues në zbatim të afateve kushtetuese të mandatit të të zgjedhurve lokalë.

Sekretari i LSI-së tha se “Bllokimi i KZAZ-ve nga sjellja e papërgjegjshme e lidershipit të Partisë Socialiste natyrisht meritonte dhe meriton vetëm përgjigje ligjore, të bazuar mbi kodin zgjedhor. Ne e inkurajojmë KQZ-në të ushtrojë të gjithë përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që ka për të realizuar zgjedhje në përputhje me standardet e OSBE-ODIHR-it”, nënvizoi Rama.

Në emër të LSI-së, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie të koalicionit qeveritar, tha se LSI u është drejtuar me një letër zyrtare kryetarëve të grupeve parlamentare të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, kryetares së Kuvendit, kryetarëve të partive që përfaqësohen në parlament për t’u fokusuar në disa prej çështjeve më të rëndësishme të procesit zgjedhor, të reformës zgjedhore.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama theksoi se i kishte dërguar këto letra me bindjen se përmes ofertash të tilla konstruktive palët mund t’i shërbejnë procesit për të realizuar zgjedhje të pakontestueshme të ndershme dhe transparente.

mit/NOA

KOMENTE