Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA – Gjatë prezantimit të ndryshimeve në Ligjin “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi”, të miratuara sot nga Komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë drejtoresha e Zyrës Juridike në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Albana Shtylla, sqaroi se ndryshimet e propozuara në ligj, përfshijnë zëvendësimin e termit “emigranti shqiptar i rikthyer” në “shtetas shqiptar i rikthyer”, si dhe heqjen e kufizimit të qëndrimit prej “të paktën një vit në Republikën e Shqipërisë”, për të përfituar statusin e të rikthyerit. Sipas zonjës Shtylla me këtë ndryshim shtetasi i kthyer përfiton menjëherë pas kthimit, shërbime informimi, orientimi, referimi, pjesëmarrjeje në programet e punësimit, formimit profesional, etj. bazuar në nevojat e tij.
Drejtoresha Shtylla tha se ndryshime vijnë në zbatim dhe përmbushje të Planit të Veprimit të Strategjisë për Riintegrimin e Shtetasve Shqiptarë të kthyer në vend, i miratuar në qershor të vitit të kaluar.
Sipas saj ato kanë për qëllim sigurimin e kthimit të qëndrueshëm të shqiptarëve, përmes mbështetjes së procesit të riintegrimit, pavarësisht formës së kthimit të tyre.
Drejtoresha Shtylla sqaroi se, hartimi i Strategjisë dhe Planit të Veprimit, vitin e kaluar u realizua në kuadër të plotësimit të kritereve të vendosura për liberalizimin e vizave.
Ajo theksoi se ndryshimet ligjore do të bëjnë të mundur zbatimin e këtij dokumenti të rëndësishëm politik dhe ofrimin e shërbimeve të nevojshme dhe të domosdoshme riintegruese për të gjithë ata shqiptarë të cilët, në mënyrë vullnetare, apo në bazë të marrëveshjeve të ripranimit kthehen në vend.
Ndryshimet në Ligj parashikojnë edhe “Regjistrin për emigrantët”, i cili ngrihet në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Kombëtar të Punësimit.
Ato bëjnë të mundur krijimin e një banke të dhënash për ruajtjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë të kthyer dhe të regjistruar pranë Sporteleve të Migracionit (të ngritura prej gjashtë muajsh, pas miratimit të Strategjisë, në 36 zyra pune në të gjithë vendin).
Në këtë mënyrë, Sportelet e Migracionit do të shërbejnë si pikë kyçe në nivel vendor, për të kryer vlerësimin e nevojave të personave të kthyer, për t’u dhënë atyre informacionin që u nevojitet si edhe për t’i referuar këta persona në institucione që japin shërbimet përkatëse.
Këto ndryshime janë propozuar edhe në nenin që përcakton lëshimin e dokumentit “Statusi i emigrantit”, duke e lidhur Statusin me shërbimet që ata përfitojnë.
Ligji përcakton detyrat dhe përgjegjësitë e Ministrive të linjës si, MPÇSSHB, MPJ, MB, MASH, MPPTT, MBUMK, MF, METE, në kuadër të riintegrimit të shtetasve shqiptarë të kthyer. Sipas Strategjisë këto institucione dërgojnë informacione pranë Sporteleve të Migracionit, të cilat më pas bëjnë informimin e shtetasve të kthyer.
Drejtoresha e Politikave të Migracionit në MPÇSSHB, Silva Banushi, sqaroi se “ndryshimet nuk kanë efekte financiare për buxhetin e shtetit, pasi ndryshimet ligjore vijnë në funksion dhe në zbatim të Strategjisë së miratuar në korrik dhe se efekte financiare për çdo institucion janë parashikuar që në atë kohë dhe janë miratuar tashmë në buxhetin e këtij viti”.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Punës iu përgjigjen interesit të deputetëve, duke sqaruar konkretisht shërbimet që personat të cilët marrin “Statusin e Emigrantit”, do të përfitojnë, duke filluar nga informimi, lehtësirat doganore, orientimi për investime, mbështetje për strehim, etj.
Në ditët në vazhdim, Komisioni i Parlamentar do të marrë në shqyrtim ndryshimet ligjore nen për nen.
mit/NOA