English

PS: Berisha të mos flasë për korrupsion, e ka në zemër të familjes

Tiranë, 21 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që kryeministri Sali Berisha akuzoi sot Prokurorinë e Përgjithshme se ndan paratë e lejeve të ndërtimit me Kryebashkiakun dhe liderin e opozitës Edi Rama, ka reaguar selia rozë duke e akuzuar shefin e qeverisë si vrasësin e 26 vetëve në Gërdec, të katër shqiptarëve të ndershëm në 21 janar, si dhe përgjegjësin për vrasjes së deputetit socialist Fatmir Xhindi e kryekomunarit Remzi Veseli. Në një konferencë për shtyp Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste Megi Ajtyresa iu përgjigj kryeministrit duke e akuzuar atë si përgjegjësin kryesor për 32 jetët e humbura nga korrupsioni i familjes në pushtet, që sikundër tha Ajtyresa përdori plumbat e Gardës republikane për të shtypur protestat kundër korrupsionit të pushtetit.

“Ti Sali s’mund të flasësh për korrupsion, se korrupsionin, kusarinë dhe hajdutërinë e ke në zemër të qeverisë dhe të familjes, tek Iliri, Genci, Majlinda, Luli, Albana, Ridvani, Shkëlzeni dhe Argita”, theksoi Ajtyresa, duke risjellë në vëmendje video-përgjimin Meta-Prifti, ku ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta denoncohej publikisht përmes videos si një hajdut që vidhte me bllok në dorë.

Ajtyresa i bëri thirrje kryeministrit Berisha të largohet një orë e më parë nga pushteti, pasi sikundër tha ajo, “populli nuk të duron dot më”.

mit/NOA

KOMENTE