Tiranë, 21 shkurt, NOA - Rritja e çmimit të ilaçeve i çon në zero të gjitha rritjet e pensioneve të bëra nga mazhoranca. Kjo është deklarata që ka bërë sot deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj në lidhje atë që ai e cilësoi si rritje të papërballueshme të barnave për pensionistët.
“Vetëm nëpërmjet rritjes së TVSH të ilaçeve, dhe vetëm grupit të pensionistëve brenda listës së rimbursimeve, pushteti ju merr 28 milion euro në vit, ç’ka do të thotë mbi 151 Euro për pensionist të këtij grupi. E thënë ndryshe, qeveria e Sali Berishës u merr këtyre pensionistëve më shumë se një pension mujor përmes këtij shtrenjtimi marramendës. Dhe jo vetëm që zeron rritjen e pensioneve, por praktikisht i bën pensionistët e varfër edhe më të varfër”, tha sot Ahmetaj në një deklaratë për mediat.
Ai u shpreh se rrija e barnave bëhet në momentin kur edhe produktet të tjera të jetesës kanë pasur një rritje, ç’ka sipas tij e bënë edhe më të vështirë jetesën
“Shtrenjtimi i ilaçeve vjen në një kohë kur dita ditës po rriten edhe çmimet e energjisë elektrike, telefonisë fikse, apo artikujve bazë ushqimore. Rritja e mjerueshme, por e trumbetuar si historike, e pensioneve në vitin që shkoi, është asgjë krahasuar me atë ç’ka u merr sot pushteti i Sali Berishës 550 mijë pensionistëve shqiptarë”, tha ai.
Sipas tij rimbursimi me anë të pensioneve është “një masë që synon të mbushë arkat e shtetit të zbrazura për shkak të korrupsionit e vjedhjes që i është bërë pasurisë publike në kurriz të të gjithë qytetarëve”.
Ahmetaj ka theksuar se deklaratat e Ministrisë së Financave kanë dalë të pavërteta, pasi çmimet e ilaçeve nuk janë ulur me rritjen e TVSH.
“Një tjetër gënjeshtër e qeverisë është ajo ç’ka ka thënë Ministri i Financave dhe Kryeministri përpara pak kohësh – se rritja e TVSH mbi ilaçet nga 0 në 10%, do të ulte çmimet. Vetëm 20 ditë nga fillimi i aplikimit të kësaj takse mbi shtresat që kanë nevojë për ilaçe, pensionistët nuk arrijnë ta përballojnë më këtë rritje”, tha Ahmetaj.
a.k/NOA