Tiranë, 21 shkurt, NOA – Mbajtja e armëve pa leje rezulton të jetë një prej krimeve që është shtuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Policia e Tiranës, në një komunikim zyrtar konfirmon se armëmbajtja dhe personat e shpallur në kërkim janë dy fenomenet negative që janë shtuar.
“Për konsumim të veprës penale të “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve”, për periudhën 01.01.2010 deri më 20.02.2011, si dhe personat në kërkim për të njëjtën periudhë, theksojmë se ka një tregues në rritje, krahasuar po në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, thuhet në analizën e policisë.
Sipas saj për periudhën janar – shkurt 2011, armëmbajtjes pa leje janë evidentuar gjithsej 34 raste. Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010, po për konsumim të veprës penale të “armëmbajtjes pa leje” janë evidentuar gjithsej 19 raste.
Policia bënë të ditur se strukturat e parandalimit dhe të hetimit të krimeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, po punojnë me intensitet në këtë drejtim, “duke identifikuar, ushtruar kontrolle, kapur dhe më pas arrestuar në flagrancë autorët më këtë tendencë”.
Shifra të larta janë regjistruar edhe porsa i përket kapjes së personave në kërkim. Që nga fillimi i vitit, janë kapur gjithsej 47 persona në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Sipas policisë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë kapur për periudhën janar – shkurt, 30 persona të shpallur në kërkim duke ekzekutuar urdhrat e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
a.k/NOA