Komisioni për Çështjet Sociale nis shqyrtimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9668, datë 18.12.2006 “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi””
Tiranë, 21 Shkurt, 2011, NOA/ Ervin Tirana - Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë mori sot në shqyrtim projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9668, datë 18.12.2006 “Për emigrimin e shtetasve shqiptarë për motive punësimi””.
Ndryshimet e propozuara janë detyrim që rrjedh nga masa nr. 1 e Strategjisë për Riintegrimin e Shtetasve Shqiptare të Kthyer 2010-2015 dhe planit të saj të veprimit.
Qëllimi i ndryshimeve është plotësimi i mungesave ligjore dhe sidomos përmirësimi i ofrimit të shërbimeve të riintegrimit për shtetasit shqiptarë, emigrantë të kthyer në vend.
Gjithashtu, ndryshimet kanë për qëllim krijimin e një banke të dhënash për ruajtjen e të dhënave të shtetasve shqiptarë të kthyer dhe të regjistruar pranë sporteleve të migracionit.
Këto sportele në nivel vendor do të jenë pikat kyçe për të vlerësuar nevojat e personave të kthyer, për t'u dhënë atyre informacionin që u nevojitet dhe për t'i referuar këta persona në institucionet që u japin shërbimet përkatëse.
Në përfundim Komisioni miratoi në parim projektligjin, ndërsa do të vijojë shqyrtimin nen për nen në mbledhjet e ardhshme.
e.t/NOA