English

Arrestim për vrasjen me djegie të Aurora Trashanit

Arrestohet në Tiranë pas një hetimi intensiv, bashkautori në vrasjen e 30 vjeçares Aurora Trashani, i cili dyshohet të jetë Abedin Mulaj

Tiranë, 22 Shkurt 2011 NOA – Kapet një prej të dyshuarve si të përfshirë në masakrimin deri në vdekje të Aurora Trashanit, e afërmja e diplomates shqiptare Arenca Trashani. Lajmi i konfirmua për agjencinë NOA, nga burime zyrtare të drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ata thanë se strukturat e Hetimit të Krimit dhe më konkretisht, Specialistë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së personit në Policinë e Tiranës, në sajë të një pune intensive hetimore, në drejtim të zbardhjes dhe dokumentimit tërësisht të vrasjes së 30 vjeçares Aurora Trashani, bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e bashkautorit të kësaj vrasjeje.

Gjatë ecurisë së hetimit, grupi hetimor i përbërë nga Specialistë Kriminalist e oficerë të Krimeve të Rënda, bënë të mundur arrestimin e bashkautorit të dyshuar të vrasjes, i cili është shtetasi Abedin Mulaj, 47 vjeç, me banim në Tiranë.

Policia tha se, është realizuar identifikimi i autorit tjetër në këtë ngjarje të rëndë por për arsye të hetimit, nuk mund të bëjmë publike gjeneralitetet e tij.

Kjo ngjarje e rëndë, ka ndodhur më datë 02 shkurt 2011, ku viktima Aurora Trashani, u gjend e vrarë pasi ishte qëlluar me 10 thika dhe më pas ishte djegur në banesën ku jetonte, pranë zonës së Zogut të Zi, në Tiranë.

Viktima ishte juriste tek Autoriteti Kombetar i Konkurrencës dhe jetonte e vetme në banesën e saj. Policia tha jozyrtarisht për NOA, se vrasja e Trashanit ishte një krim pasioni. Hetohen lidhjet personale të viktimës me të arrestuarin e sotëm dhe me të dyshuarin në kërkim.

Policia tha se ndaj autorit të dyshuar të vrasjes, u mor masa e menjëhershme e arrestit për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me dashje”, ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

e.t/NOA

LEXONI GJITHASHTU: Masakrohet dhe digjet Aurora Trashani Policia: 32-vjeçarja Trashani u vra, pastaj u dogj

KOMENTE