English

Gadafi shfaqet në televizion: Jam në Libi

Libi, 22 shkurt, NOA - Lideri i Libisë Muamer Gadafi ka bërë një paraqitje të shkurtër në televizionin shtetëror, në kohën kur protestat masive po lëkundin pushtetin e tij 42 vjeçar.

Në paraqitjen e mbrëmshme, që zgjati më pak se 30 sekonda, Gadafi tha se ai mbetet në kryeqytetin Tripoli, dhe nuk ka ikur në Venezuelë.

“Dua të tregoj se jam në Tripoli dhe jo në Venezuelë. Mos u besoni kanaleve që u përkasin qenve të tërbuar”, tha Gadafi.

Në paraqitjen e parë televizive nga nisja e protestave, ai mbante një ombrellë në shi dhe ndodhej jashtë makinës.

Ndërkohë, raportohet se qindra njerëz mund të kenë vdekur nga shtypja e dhunshme ndaj protestuesve.

Zëvendës emisari i Libisë në Kombet e Bashkuara, Ibrahim Dabashi, iu bashkua disa anëtarëve të qeverisë, që kërkojnë largimin e Gadafit.

Kreu i KB-së, Ban Ki-mun tha se Këshilli i Sigurimit do të diskutojë sot krizën në Libi. Ai tha se ka folur me Gadafin me telefon dhe i ka kërkuar që ta ndalë dhunën kundër demonstruesve paqësorë.

NOA/RFE

KOMENTE