English

Gheddafi: Nuk jap dorëheqjen, jam lider revolucionar jo President

Tripoli, 22 shkurt 2011, NOA – Një javë pas nisjes së revoltës popullore në Libi kundër regjit të Gheddafit, ku deri më tani janë vrarë rreth 1 mijë protestues, koloneli Muammar Gheddafi ka deklaruar vetëm pak minuta më parë se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen apo akoma më keq të largohet nga Libia, duke e argumentuar vendimin e tij me faktin se ai nuk është një President, por një lider revolucionar që ka sakrifikuar e luftuar për atdheun e tij. Koloneli Gheddafi deklaroi se do të jepte dorëheqjen nëse do të ishte President, porse këtë nuk ka tagër ta bëjë, ngase sipas tij është një lider revolucionar dhe nuk është President.

Këtë deklaratë lideri revolucionar i Libisë e ka bërë përmes televizionit shtetëror libian, ku ai i bëri thirrje popullit të tij të ndalë protestat pasi në të kundërt Libia do të përfundojë në një luftë civile.

Gheddafi akuzoi protestuesit se janë paguar nga shërbimet sekrete amerikane që të shkatërrojnë Libinë, Bengasin dhe t’ia japin këtë vend SHBA-ve.

Këtë fakt Gheddafi e argumentoi me marrjen e Afganistanit apo edhe të Irakut nga forcat ndërkombëtare.

Koloneli libian duke këmbëngulur në pushtetin e tij bëri me dije se me këto protesta po dalin tërë sekretet shtetërore të Libisë, duke saktësuar se sekretet po i jepen armikut të Libisë, SHBA-ve.

“Por kjo gjë nuk do të lejohet, pasi të gjithë protestuesit do të dalin përballë drejtësisë dhe do të dënohen rreptësisht”, siguroi Gheddafi.

Ai ritheksoi se Kushtetuta e Libisë parashikon dënimin me vdekje për të gjithë ata që i kundërvihen shtetit, për ata që sulmojnë ndërtesat e qeverisë.

Duke theksuar se nuk ka dhënë asnjë urdhër për qëllimin drejt popullit, Gheddafi i bëri thirrje popullit të ndalë protestat dhe t’i japë fund revoltës kundër regjimit të tij.

"Ne nuk mund të përfundojmë si Somalia, pasi nëse kjo revoltë nuk ndalet ne do të përfundojmë në luftë civile“, iu drejtua popullit libian nga televizoni shtetëror koloneli Muammar Gheddafi.

Ai tha se nëse protestuesit duan shkatërrimin e Libisë le të dalin në rrugë e të protestojnë.

Gheddafi shtoi se protestuesit janë një turp për familjet e tyre.

mit/NOA

KOMENTE