Bruksel, 22 shkurt, NOA - Prokurori i antimafias në Itali, Piero Grasso, gjatë një vizite së fundi në Bruksel bëri thirrje për një luftë më të ashpër ndaj krimit të organizuar.
Mafia gjithmonë asociohet me jugun e Italisë, me bosët e Cosa Notra në Sicili dhe me Ndrangheta në Kalabri. Por mafia është e pranishme edhe në shumë rajone të tjera në Evropë. Prokurori italian i antimafias, Piero Grasso javën e shkuar dha alarmin në Parlamentin Evropian, se grupet e krimit të organizuar janë duke i shtrirë tentakulat e tyre në të gjithë Evropën.
Duke folur gjatë një dreke me dyer të mbyllura, ai tha se gangsterët po kontrabandojnë çdo gjë në Evropë duke nisur qysh nga heroina e deri tek prostitutat. Xhiroja vjetore nga këto aktivitete arrin në rreth 110 miliardë euro. Sipas prokurorit italian Evropa duhet të ndjekë shembullin e Italisë: "Italia ka legjislacion më të plotë kundër krimit të organizuar. Ndonëse për fat të keq pati një fund të përgjakshëm për dëshmorët e antimafias Falcone dhe Borsolino përpjekjet kundër mafias nuk u frenuan. Revolta e madhe në publik bëri që të intensifikohet lufta. Italia është tani në pararojë sa i përket luftës kundër mafias."
Falcone dhe Borsolino ishin ndër personalitetet që ranë viktimë e vrasjeve që kryheshin ndaj policëve dhe gjyqtarëve gjatë viteve 80-të dhe 90-të. Por ka kohë që vrasjet e lidhura me mafian nuk janë të izoluara vetëm në Itali.
NOA/DV