English

Maqedoni, pritet të shtyhet regjistrimi i popullsisë

Shkup, 22 shkurt, NOA - Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni pritet të shtyhet pas krizës së krijuar politike dhe zërave për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Lajmi konfirmohet nga burime qeveritare për agjencinë e lajmeve INA, duke nënvizuar se procesin e përgatitjeve për regjistrimin e popullsisë e kanë vështirësuar dhe problematizuar mosmarrëveshjet brenda Komisionit Shtetëror për Regjistrim (KSHR), pas kërkesave ultimative të vendosura nga ana e përfaqësuesve shqiptarë.

“Është mëse e sigurt që të prolongohet mbajtja e regjistrimit, për shkak ka vonesa rreth përgatitjeve. Por, rreth kësaj pritet të ketë një përgjigje të prerë këtyre ditëve, kur do të bëhet një analizë urgjente për vazhdimin e përgatitjeve në një tempo emergjente apo për të shtyer procesin për një datë apo periudhë tjetër të afërt, për shkak se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Është vështirë të përballohen dy procese voluminoze si regjistrimi dhe zgjedhjet”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, një zyrtar i lartë i Qeverisë në Shkup.

Partitë opozitare shqiptare dhe diaspora shqiptare vazhdimisht ka apeluar për shtyerjen e datës së mbajtjes së regjistrimit të popullsisë, mirëpo ajo deri tani ishte refuzuar nga maxhoranca aktuale. Mirëpo, ditëve të fundit procesi është vështirësuar pas bojkotit të anëtarëve shqiptarë në KSHR, të cilët kërkojnë që regjistruesit nëpër terren të zgjidhen dhe shpërndahen sipas përqindjes së popullsisë në nivel lokal dhe jo në nivel shtetëror, ashtu siç është propozuar nga përfaqësuesit e partisë maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE.

Regjistrimi i popullsisë është caktuar për 1 prill të këtij viti dhe ky proces do të zgjasë 15 ditë.

NOA-INA

KOMENTE