Tiranë, 22 shkurt 2011, NOA – Partia Demokratike nuk ndalet në akuzat ndaj Prokurorisë së Përgjithshme duke i argumentuar ato me faktin se sipas PD-së Prokuroria e Përgjithshme pas një muaji nga grushti i dështuar i shtetit dhe dhuna e armatosur e 21 janarit, nuk ka thirrur për hetimin asnjë nga organizatorët kryesorë. “Ka më shumë se një muaj, që përditë e më tepër nga Prokuroria e Përgjithshme po vërtetohet implikimi politik dhe qëllimi për të mos zbardhur ngjarjen, për të bllokuar dhe devijuar hetimet e dhunës së 21 janarit. Dëshmi e këtij implikimi dhe devijmi është fakti që kallëzimi i depozituar nga Policia e Shtetit së bashku me materialet provuese prej Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë transferuar në një seksion të thjeshtë të Prokurorisë së Tiranës”, deklaroi deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj.
Alibeaj theksoi se “as Prokurorja e Përgjithshme dhe askush tjetër, që ka marrë përsipër të ndihmojë organizatorët e grushtit të shtetit, nuk do të mundet që t’i shpëtojë ata nga përballja me rreptësinë e ligjit”.
Deputeti demokrat nënvizoi se “Kjo mazhorancë nuk pajtohet dhe as do të tolerojë, për asnjë moment qëndrimin dhe implikimin politik të “shoqes” së bulevardit dhe do të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të garantuar bërjen e një drejtësie të paanshme, të besueshme, të vërtetë”.
mit/NOA