Libi, 22 shkurt, NOA – Situata në Libi vazhdon të jetë mëse e tensionuar që kur turma ka dalë në rrugë dhe kërkon me çdo kusht largimin e Moammar Gadhafit, i cili nga ana e tij, po përpiqet ta shtypë me të gjitha mjetet këtë kryengritje popullore.
Tashmë mund të thuhet se protestuesit kanë në duart e tyre një pjesë të mirë të ushtrisë, policisë dhe diplomacisë së vendit, çka presupozon një pjesë të mirë të pushtetit.
Dëshmitarët në Tripoli njoftuan për raste të shumta ku mercenarë afrikanë kishin hapur zjarr ndaj protestuesve.
Sipas organizatës së të drejtave të njeriut, Human Rights Uatch, janë konfirmuar 233 të vrarë, por Gaddafi e mohon një fakt të tillë.
Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka thënë se do të zhvillojë sot një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar krizën.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan ndërhyrjet e dhunshme të forcave libiane të sigurimit kundër demonstruesve.
Megjithatë gjatë takimit të tyre në Bruksel ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të BE-së nuk arritën të bien dakord për sanksione kundër pushtetmbajtësit Muammar al-Gaddafi.
n.e/NOA