Tiranë, 22 shkurt, NOA – Pas deklaratave të bëra sot nga kryeministri Sali Berisha, sot në Shkodër, Partia Socialiste ka akuzuar kreun e mazhorancës për humbjen e jetëve të 32 qytetarëve. “Sali Berisha mban përgjegjësi për humbjen e plot 32 jetëve të pafajshme shqiptarësh. Përpara se të dalë dhe të flasë sërish për puçe që si beson askush, me çadra e stilolapsa pistoletë apo thika me helm, njësoj si Enver Hoxha 30 vjet më parë, bën mirë të japë llogari për vrasjen e 4 shqiptarëve në bulevardin Dëshmorët e Kombit në 21 Janar”, tha anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS, Megi Ajtyresa, në një deklaratë për mediat. Ajtyresa u shpreh se kreu i mazhorancës duhet të përgjigjet për arsyet se përse urdhëroi Gardën që të qëllonte në datën 21 janar dhe duhet të zhvillojë zgjedhje të parakohshme. “Berisha t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja. Saliu duhet t’u shpjegojë sot shqiptarëve përse i dha urdhër Gardës Republikane për të hapur zjarr mbi turmën e protestuesve paqësore? Kush e mban përgjegjësinë për këto jetë të humbura njerëzish? Ndaj e ftojmë Saliun të mos flasë përçart, por t'i hapë rrugë të drejtës së popullit për të zgjedhur lirisht”, tha sot Ajtyresa. a.k/NOA