Shkup, 22 shkurt 2011, NOA- Kryetari i partisë Demokracia e Re në Maqedoni, Imer Selmani ka deklaruar se vetëm zgjedhjet parakohshme të cilat duhet të mbahen shumë shpejtë janë zgjidhje për situatën në të cilën është futur vendi.
Ai hodhi një varg akuzash ndaj Qeverisë VMRO-DPMNE dhe BDI, e cila sipas tij është përgjegjësja e vetme për situatën në të cilën është përfshirë vendi, dhe për sa kohë që të jetë në pushtet kjo qeveri, vendi do të shoh vetëm ditë të errëta.
Selmani tha se, “E vetmja alternativë për dalje nga kjo krizë dhe nga ky rrezik ku na futën VMRO-ja dhe BDI-ja janë zgjedhjet e parakohshme, edhe atë sa më shpejtë që është e mundur”
Sipas tij, “Kjo Qeveri e mbrapshtë nuk ka kapacitet të çojë proceset përpara. Dështimet ekonomike, provokimet e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërfetare përmes projekteve monoetnike dhe monofetare, bllokimi i procesit integrues në NATO dhe BE, presioni ndaj mediumeve kritike dhe gjyqësisë janë arsye të bollshme për ju të nderuar që t'ia kërkoni mbrapa mandatin kësaj maxhorance parlamentare”.
Këto fjalë Selmani i tha gjatë një takimi me banorët e Sarajit.
a.y/NOA