English

“Tik-Tak”, Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore

Konkursi vjetor tregon punimet fituese dhe hap dyert e ekspozitës

Tiranë, 22 Shkurt 2011 NOA - Në Galerinë FAP u organizua ceremonia e hapjes së ekspozitës me punimet e edicionit të radhës të konkursit Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore.

Ky edicion është emërtuar Tik-Tak që, sipas kuratorit të këtij edicioni, z. Ardian Isufi, përkon me vetë filozofinë e harmonisë së kohës në hapësirën e përditshme të individit.

Në ceremoninë e organizuar në hapjen e ekspozitës u dhanë edhe çmimet për punimet më të mira. Marvina Çela dhe Bledar Bitri u vlerësuan të dy me çmimin e dytë.

Ndërkohë që punimi që mori vendin e parë në këtë edicion të Çmimit të Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore ishte i Hysen Voglit.

Punimi paraqet autoportrete të realizuara nga pjesëtarët e një familje që kanë mosha të ndryshme, nga më i vogli pakvjeçar e deri tek gjyshërit e familjes duke treguar efektin e kohës në hapësirë.

Ndërmjet shumë punimeve, janë përzgjedhur për të marrë pjesë në fazën finale punimet e 10 artistëve. Këta artistë të rinj janë të gjithë studentë aktualë dhe ish-studentë të Akademisë së Arteve.

Në këtë konkurs të artit bashkëkohor të rinjtë kanë parashtruar konceptet e tyre artistike mbi kohën dhe hapësirën duke i transformuar në vepra artistike. Artistët e rinj kanë mbi tri muaj që punojnë për realizimin e këtyre veprave.

Në punimet e ekspozuara në galerinë FAP janë ekspozuar punime të ndryshme si në pikturë, instalacion apo edhe vepra kinetike.

Çmimi i Artit Bashkëkohor AMC për Artet Pamore është nismë që synon të ngjallë interesim për artistët e rinj dhe të nxisë kreativitetin tek të rinjtë, duke u dhënë mundësi të krijojnë vepra artisitike e më pas t’i ekspozojnë.

Tik-Tak është pjesë e projektit “Qyteti i arteve”, që organizohet nga Akademia e Arteve dhe që ka realizuar 34 veprimtari kulturore, përfshirë shfaqje, ekspozita dhe aktivitete të tjera.

Ekspozita me punimet e përzgjedhura do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 28 shkurt.

e.t/NOA

KOMENTE