English

Wolfgang Petrich: JO ndarjes së Kosovës

Prishtinë, 22 shkurt, NOA - Ish-i dërguari i Bashkimit Evropian për Kosovën, Wolfgang Petrich, ka kërkuar ide, siç është shprehur ai, më kreative për veriun e Kosovës dhe ka bërë thirrje që Prishtina e Beogradi zyrtar të tërhiqen nga qëndrimet e tyre parimore, për të mundësuar gjetjen e një zgjidhjeje për problemin.

Duke e përjashtuar ndarjen e veriut ai tha se duhet që të arrihet një zgjidhje për veriun përndryshe e gjithë puna në ndërtimin e shtetit në Kosovë nuk do të funksionojë.

Në një bisedë me BBC-në, ambasadori Petrich tha se bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit kanë të bëjnë me të ardhmen e rajonit si dhe me bashkëpunimin dhe normalizimin në mes të dyja vendeve.

Duke folur për raportin e të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, Petrich tha se në rast të mos ndriçmit të plotë të tij ai do të shndërrohet në “njollë” për reputacionin edhe të kryeministrit Thaçi, por edhe të Kosovës.

Kërkesën e faktorit ndërkombëtar për qeverisje me, siç është cilësuar, “duar të pastra në Kosovë” ambasadori Petrich e ka cilësuar si një parim të rëndësishëm për qeverinë e vendit dhe kë shprehur besimin e tij se udhëheqësit politikë në vend do ta respektojnë atë.

Z.Petrich, cilat janë sfidat me të cilat Kosova është përballur në 3-vjetorin e pavarësisë së saj?

Besoj se sfida më e madhe është mungesa e legjitimitetit global si shtet. Mosnjohja nga shumë vende të botës përfundimisht paraqet problem. Ai bëhet më i madh kur dihet se BE-ja nuk është e bashkuar në njohjen e Kosovës. Kjo e bën më të vështirë punën e përditshme, çdo përparim dhe reformë.

Ka patur ndikim në njohjen e mëtejme të Kosovës mungesa e reformave në fusha të ndryshme të jetës në Kosovë dhe perceptimi për një shkallë të lartë të korrupsionit?

Këto çështje janë të ndërlidhura. Mungesa e përparimit në shumë fusha të cilave iu referoheni ju, mendoj se janë pikërisht ato fusha ku elita politike dhe shoqëria në Kosovë duhet të punojë më shumë. Ky do të ishte shembulli se si Kosova po bën përparime dhe mbase do të shtynte vendet e tjera ta njohin. Në fund të fundit është e qartë se Kosova është një vend i pavarur dhe do të ishte shumë më mirë që të njihet ky shtet e pastaj të kërkohet përgjegjësi nga Kosova që të veprojë më shumë për të kryer ato që duhet kryer.

E thatë se janë pesë shtete të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. A e ka parandaluar kjo perspektivën evropiane për vendin apo a e ka penguar atë?

Nuk e parandalon, por përfundimisht e ngadalëson. Mendoj se do të duhej të kishte një strategji më aktive nga ana e Kosovës që vërtetë të dëshmojë se ajo mund të jetë një shtet, mund ta qeverisë veten dhe mund të ketë demokraci, që nënkupton rend dhe ligj, nënkupton luftën kundër korrupsionit dhe është e qartë se kjo, gjithashtu, nënkupton krijimin e vendeve të punës. Mendoj se çështja më e madhe sociale në vend është papunësia sidomos në mesin e të rinjëve dhe kjo duhet të jetë përparësi e punës.

Janë dy çështje që kanë dominuar në skenën politike në Kosovë. E para, zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që kanë kaluar me parregullësi të shumta dhe, e dyta, është një raport i të dërguarit të KiE, Dick Marty. Si i keni parë të dyja këto çështje?

Të dyja çështjet duhet të merren shumë seriozisht dhe në veçanti në një afat të gjatë, çështja e zgjedhjeve të lira dhe të drejta, ka nevojë për përmirësime të mëdha. Kjo duhet thënë shumë qartë. Raporti i Dick Martyt është problematik, por duhet që të dëshmohet. Të dyja palët duhet të ulen dhe të shohin se çfarë ka aty. Besoj se duhet të ketë një komision të pavarur që do ta shqyrtojë atë dhe të dyja palët duhet të bashkëpunojnë, e në veçanti kryeministri Thaçi. Gjithashtu, të dyja vendet, edhe Shqipëria edhe Kosova, duhet të bashkëpunojnë. Për sa kohë që të zvarritet, çështja do të shndërrohet në damkë për reputacionin edhe të kryeministrit Thaçi, por edhe të vendit. Kosova ka një interes të posaçëm që ta pastrojë këtë gjë. Personalisht, më tingëllon jologjike që dikush si Thaçi, pasi ka marrë njohjen nga SHBA-ja dhe ndihmën e domosdoshme për të ndërtuar shtetin, të jetë angazhuar në aktivitete të tilla. Po për shkak të kësaj kjo duhet të qartësohet.

Ambasador, meqë folëm për çështjen e zgjedhjeve në Kosovë, a besoni se institucionet e reja të vendit do të kenë legjitimitetin e duhur pas gjithë asaj që ka ndodhur? Ka patur thirrje nga bashkësia ndërkombëtare për krijimin e një qeverie me duar të pastra?

Është një thirrje e qartë dhe e rëndësishme për duar të pastra dhe është një parim i rëndësishëm për këtë qeveri. Unë shpresoj, por edhe jam i bindur se kjo thirrje do të respektohet nga udhëheqësit politikë atje. Mendoj se ka një shenjë pozitive për përparimin në vend se një pjesë e serbëve të Kosovës është e gatshme të bashkëpunojë. Kjo është pjesa pozitive e përparimit.

Ambasador Petrich, a mundet raporti i Dick Martyt të dëmtojë pozicionin e Prishtinës zyrtare në bisedimet që janë paraparë të zhvillohen me Beogradin?

Ashtu siç e thash edhe më parë, është një gjë që duhet të merret shumë seriozisht. Në anën tjetër, ka shenja të qarta nga Beogradi se po vepron në një mënyrë politike dhe profesionale dhe provon që së bashku me Prishtinën këto çështje t’i zgjidh. Unë shpresoj se këto dy çështje janë të ndara pavarësisht se janë të ndërlidhura dhe nuk mund të zvarriten. Raporti i Martyt duhet ose të verifikohet ose të fortifikohet. Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë çështje tjetër. Kjo ka të bëjë me të ardhmen e rajonit, ka të bëjë me bashkëpunimin dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve.

A mund të bëhet ky normalizim përmes zgjidhjes së çështjes së veriut?

Unë jam i bindur se çështja e veriut është në rrugë dhe disa ide kreative duhet të zhvillohen. Të dyja palët duhet të tërhiqen nga disa qëndrime parimore dhe pastaj unë besoj se diçka pozitive mund të arrihet. Ka zgjidhje të tjera nga ajo që aktualisht ekziston dhe që nuk po funksionon. Sidoqoftë, idetë kreative në politikë, që nuk ndodhin shpesh, në këtë rast duhet të zhvillohen.

A janë këto ide kreative diçka që shkon drejt statusit të posaçëm për veriun, apo drejt ndarjes apo mos keni në mend diçka të ndërmjetme?

Unë nuk do të preferoja zgjidhje të rënda siç është ndarja. Më shumë do të favorizoja një përpjekje bashkëpunuese për të parë se për çka kanë nevojë njerëzit, se si mund të ndërlidhen formalitetet që kanë të bëjnë me Prishtinën dhe me nevojat e serbëve të cilat në një mënyrë duhet të ndërlidhen me Beogradin. Unë nuk e besoj se do të ishte ide e mirë që të jem shumë specifik, por ajo që dua të them është se duhet të mendohet jashtë kutisë dhe të arrihet një zgjidhje për veriun përndryshe e gjithë puna në ndërtimin e shtetit në Kosovë nuk do të funksionojë.

BBC-NOA

KOMENTE