English

Ahmetaj: Berisha e Basha kryen krim më 21 janar

Tiranë, 23 shkurt, NOA – Pas raportit të Komisionerit të Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Thomas Hammarberg, ka reaguar Partia Socialiste, e cila e ka cilësuar dokumentin si dëshmi e krimit të drejtuesve të shtetit dhe të policisë.

“Është krim që Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Hysni Burgaj kanë abuzuar dhe keqpërdorur këtë institucion të nderuar, në këtë mënyrë kaq të papërgjegjshme. Dhe ndërkohë, është e papranueshme që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ende s’ka lëvizur as gishtin për të filluar një hetim mbi këto abuzime dhe shkelje flagrante të të drejtave të njeriut”, tha sot në një deklaratë për mediat, Arben Ahmetaj.

Ai u shpreh se raporti konfirmoi të vërtetat e dhimbshme në lidhje me vrasjet, keqtrajtimet abuzimet dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga regjimi i Sali Berishës të premten e 21 janarit dhe në ditët që pasuan.

Raporti i komisionerit Hammarberg konfirmon atë që tanimë në Shqipëri e di i madh e i vogël; katër shqiptarë të pafajshëm, të paarmatosur, jashtë kryeministrisë, në mes të bulevardit dëshmorët e kombit, demonstrues kundër korrupsionit e hajdutërisë u vranë nga plumbat e Gardës Republikane. Është ky një krim për të cilin Saliu e Luli, si urdhëruesit e ekzekutorëve të Ziverit, Aleksit, Hekuranit e Faikut duhet, dhe herët a vonë, do të mbajnë përgjegjësi”, tha Ahmetaj.

Nga ana tjetër ai shtoi se raporti konfirmon edhe faktin se policia shqiptare nën drejtimin e Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, “jo vetëm që u tregua e paaftë, por ushtroi një dhunë të pashoqe, të padëgjuar në Europën demokratike dhe në shkelje të plotë të të drejtave të njeriut dhe të çdo ligji të këtij vendi”.

Ai u ndal në detajet e raportit sipas të cilit 113 të arrestuarëve nuk u është ofruar asistencë ligjore. 19 minorenëve të arrestuar nuk është ofruar psikologu siç e kërkojnë standardet europiane.

“Raporti vëren se të 113 demonstruesit e ndaluar nga policia në orët e pas protestës, janë keqtrajtuar gjatë ndalimit, janë keqtrajtuar gjatë qëndrimit në rajonet e policisë, janë keqtrajtuar gjatë transportit për në qendrat e paraburgimit dhe gjatë qëndrimit në këto qendra”, tha Ahmetaj.

Ai u shpreh se faktet e mbledhura në raport flasin për një realitet të hidhur dhe të rëndë të shkeljes së të drejtave të njeriut. Një realitet i denjë për regjimet autoritare dhe kleptokratike të kësaj bote, por jo për një vend të NATOs, për një vend në mes të Europës në vitin 2011 që tenton të trokasë në dyert e Bashkimit Europian.

“Ky raport është prova më e fundit që sot Shqipëria dhe shqiptarët nuk qeverisen nga një pushtet demokratik e i zgjedhur me votë, por sundohen nga një regjim që vodhi votat për të vazhduar të vjedhë, dhe që vrau dhe dhunoi shqiptarë të pafajshëm për të qëndruar në pushtet”, tha Ahmetaj.

a.k/NOA

KOMENTE