English

Berisha uron Thaçin: Qeveria e re afron vendin me BE

Tiranë, 23 shkurt, NOA - Kryeministri Sali Berisha i ka shprehur urimet Kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi për rizgjedhjen në këtë detyrë. Në një mesazh urimi Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me rastin e rizgjedhjes së tij në këtë detyrë.

“Rizgjedhja Juaj nga Kuvendi i Kosovës në pozicionin e Kryeministrit të Kosovës më jep kënaqësinë e veçantë, që, në emrin tim, të qeverisë shqiptare dhe të mbarë qytetarëve të vendit tim, t’Ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta e miqësore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm përpara”, shprehet Berisha.

Ai ndalet edhe procesin e integrimit të Kosovës dhe sfidat që e presin qeverinë e re.

“Jam thellësisht i bindur se Qeveria Juaj do të çojë më tej arritjet e rëndësishme e historike që shteti më i ri i Evropës, Republika e Kosovës, dhe qytetarët e vendit Tuaj kanë shënuar gjatë kësaj periudhe. Detyrat e rëndësishme përpara Jush, qeverisë së Kosovës dhe mbarë spektrit politik të vendit Tuaj kërkojnë vazhdimin në të ardhmen të përpjekjeve të mëdha e gjithëpërfshirëse për realizimin e njohjes së plotë të Republikës së Kosovës, për zhvillimin ekonomik e të gjithanshëm të saj, integrimin në NATO dhe BE, si dhe konsolidimin e vendit Tuaj në një faktor edhe më të rëndësishëm të paqes e të bashkëpunimit në rajon”, shprehet Berisha në letrën dërguar Thaçit.

Nga ana tjetër ai fton kreun e qeverisë së Kosovës për një vizitë në Tiranë dhe shprehet se marrëdhëniet mes dy vendeve janë një model në rajon.

“Dëshiroj, me këtë rast, t’Ju risiguroj për vendosmërinë time dhe të qeverisë shqiptare për të ndërtuar marrëdhëniet më të shkëlqyera e vëllazërore ndërmjet të dyja vendeve dhe bashkëpunimin më të ngushtë, në të gjitha fushat, në dobi të interesit më të mirë të të dyja vendeve e kombit tonë dhe rrugëtimit të përbashkët euroatlantik, duke i shndërruar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Shqipërisë në shembull të bashkëpunimit rajonal dhe faktorin shqiptar në një kontribuues aktiv e të rëndësishëm, në shërbim të konsolidimit të paqes, zhvillimit, prosperitetit e miqësisë në rajonin tonë. Shfrytëzoj rastin për t’Ju ripohuar dëshirën dhe kënaqësinë e veçantë për t’Ju pritur, në çdo kohë të përshtatshme për Ju, në Tiranë, së bashku me sigurimet e konsideratës sime më të lartë”, shkruan Berisha në letrën e ti.

a.k/NOA

KOMENTE