English

Dënimi i Gjorgjeviç për krime në Kosovë, vendimi i plotë i Hagës

Hagë, 23 shkurt 2011 NOA – Vendimi i Dhomës Gjyqësore në Hagë për Vllastimir Gjorgjeviç, ish-zyrtar i lartë i policisë serbe është shpallur sot. Ai u gjet fajtor për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër civilëve shqiptarë kosovarë në vitin 1999.

Dhoma Gjyqësore II e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, e dënoi Gjorgjeviçin me 27 vjet burg.

Vllastimir Gjorgjeviç, ish-Ndihmësministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, njëherësh Shef i Drejtorisë së Sigurimit Publik u shpall fajtor për pjesëmarrjen e tij në një ndërmarrje të përbashkët kriminale në vitin 1999, qëllimi i të cilës ishte ndryshimi i përbërjes etnike të Kosovës.

Gjorgjeviç u shpall fajtor për krime në formën e dëbimeve, vrasjeve, transferimit të dhunshëm dhe përndjekjeve të kryera në 13 komuna të përmendura si Rahovec, Prizren, Skënderaj, Suharekë, Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Deçan dhe Vushtrri.

Në vendimin e Tribunalit të Hagës bëhet me dije se Gjorgjeviqi është përgjegjës për vrasjen e jo më pak 724 shqiptarëve të Kosovës, të cilët në më të shumtën e rasteve u vranë nga forcat serbe.

“Në numrin më të madh të rasteve, viktimat, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, ishin civilë të paarmatosur, të cilët në asnjë farë mënyre nuk merrnin pjesë në çfarëdo forme të konfliktit të armatosur”, ishte konkluzioni i Dhomës.

Më poshtë vijon vendimi i shqiptuar sot prej Gjykatësit Kevin Parker:

Dhoma Gjyqësore është mbledhur sot për shpalljen e vendimit në procesin gjyqësor të të Akuzuarit Vllastimir Gjorgjeviq.

Në këtë seancë Dhoma do të lexojë përmbledhjen e përfundimeve të saj dhe thekson se kjo është vetëm përmbledhje, dhe se versioni autoritativ i përfundimeve të Dhomës dhe i arsyeve në mbështetje të këtyre përfundimeve është Aktgjykimi, që do t’u jepet Palëve në përfundim të kësaj seance.

I Akuzuari Vllastimir Gjorgjeviq akuzohet për implikim në krimet e kryera prej forcave serbe, në veçanti prej ushtrisë (UJ-së) dhe policisë (MPB-së), kundër shqiptarëve kosovarë në Kosovë në vitin 1999, kryesisht midis marsit dhe qershorit 1999. Në veçanti, në Aktakuzë pretendohet se forcat serbe në mënyrë sistematike granatuan qytete dhe fshatra, dogjën shtëpi dhe ferma, vranë mbi tetëqind burra, gra dhe fëmijë shqiptarë kosovarë, dëmtuan dhe shkatërruan objekte kulturore dhe fetare të shqiptarëve kosovarë, dhe ushtruan dhunë seksuale kundër femrave shqiptare kosovare. Më tej pretendohet se këto veprime rezultuan në dëbimin e rreth 800.000 shqiptarëve kosovarë nga Kosova. Këto akuza përbëjnë bazën e pesë pikave të paraqitura në Aktakuzë për krime kundër njerëzimit dhe për krime lufte. Pikat janë në lidhje me krimin e Dëbimit, Transferimit të Dhunshëm, dy pika për Vrasje (njëra si krim lufte kurse tjetra si krim kundër njerëzimit), dhe Përndjekje.

Gjatë kohës së ngjarjeve të pretenduara në Aktakuzë, i Akuzuari mbante postin e Ndihmësministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë (Ministrisë së Punëve të Brendshme do t’i referohem me “MPB” ose “Ministria”). Në kuadër të Ministrisë, ai ishte Shefi i Drejtorisë së Sigurimit Publik (RJB), post ky që në shumë vende mund të përqaset me postin e Shefit të Forcave Policore. Ai mbante gradën e Gjeneralkolonelit që ishte grada më e lartë në MPB. Pretendohet se si Shef i Drejtorisë së Sigurimit Publik, ai komandonte dhe ushtronte kontroll efektiv veçanërisht mbi Njësitë e Posaçme Policore (PJP) dhe Njësinë Speciale Kundërterroriste (SAJ) të forcave policore si dhe mbi forcat e rregullta dhe rezerviste të policisë dhe grupet vullnetare dhe njësi të tjera të cilat vepronin në bashkëpunim me policinë.

Në bazë të paragrafit (1) të Nenit 7 të Statutit të Tribunalit, I Akuzuari akuzohet për planifikim, nxitje, urdhërim, dhe ndryshe ndihmë dhe inkurajim të krimeve të pretenduara. Bazuar përsëri në paragrafin (1) të Nenit 7, i Akuzuari gjithashtu akuzohet për kryerjen e këtyre pesë krimeve përmes pjesëmarrjes në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale (“NPK”), qëllimi i të cilës pretendohet të ketë qenë ndryshimi i përbërjes etnike në Kosovë me qëllim që shqiptarët kosovarë të mos përbënin më shumicën dhe për të siguruar kontrollin e mëtejshëm serb në Kosovë. Në Aktakuzë gjithashtu pretendohet se në bazë të paragrafit (3) të Nenit 7 i Akuzuari mban përgjegjësi për mosparandalimin e krimeve të kryera prej policisë nën komandën e tij dhe për mosmarrjen e masave për mundësimin e ndëshkimit të shkelësve për shkeljet e kryera prej tyre.

Fillimisht I Akuzuari u akuzua penalisht në vitin 2003 së bashku me gjeneralin ushtarak Nebojsha Pavkoviq, gjeneralin ushtarak Vladimir Llazareviq dhe gjeneralin policor Sreten Llukiq. Kjo çështje më pas u bashkua me një çështje të ngjashme kundër Presidentit të Serbisë Millan Millutinoviq, Zëvendëskryeministrit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ) Nikolla Shainoviq dhe gjeneralit ushtarak Dragolub Ojdaniq. Procesi gjyqësor i këtyre gjashtë personave filloi në vitin 2006 kurse ai i të Akuzuarit u shty meqë ai ende nuk ishte kapur. Përfundimisht, më 17 qershor 2007 ai u arrestua në Mal të Zi dhe u transferua në Hagë. Ai u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha pikat e Aktakuzës dhe u desh të gjykohej veças prej të tjerëve. Gjykimi i tij filloi më 27 janar 2009. Ishte një proces gjyqësor i gjatë dhe i ndërlikuar. Dhoma dëgjoi mbi 140 dëshmitarë dhe pranoi si prova mbi 2.500 prova materiale, përfshirë shumë urdhra dhe raporte të MPB-së dhe UJ-së dhe procesverbale të mbledhjeve të udhëheqjes politike, policore dhe ushtarake serbe.

Që Tribunali të ketë juridiksion për gjykimin e akuzave për krime kundër të Akuzuarit Prokuroria duhet të provojë ekzistencën e konfliktit të armatosur në Kosovë në atë kohë, dhe, në lidhje me krimet kundër njerëzimit, të provojë se krimet e akuzuara u kryen në kuadër të një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullatës civile. Për arsyet e shtjelluara në Aktgjykim, Dhoma është e bindur se nga fundi i majit 1998, në Kosovë ekzistonte konflikt i armatosur midis forcave serbe, në veçanti forcave të UJ-së dhe të MPB-së, dhe forcave të cilave zakonisht përmenden si Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Ky konflikt i armatosur vazhdoi së paku deri në qershor të vitit 1999. Për më tepër, më 24 mars 1999 NATO-ja filloi operacionet ushtarake në Republikën Federale të Jugosllavisë. Rrjedhimisht Dhoma është bindur gjithashtu se nga 24 marsi 1999 e deri në përfundimin e luftimeve në qershor të vitit 1999, në Kosovë ekzistonte konflikt i armatosur ndërkombëtar midis forcave serbe dhe forcave të NATO-s. Duke marrë parasysh në veçanti masën e shkatërrimit dhe dëmtimit të pronave të civilëve shqiptarë kosovarë, humbjet e jetës prej civilëve dhe shpërnguljen e shqiptarëve kosovarë në Kosovë në vitet 1998 dhe 1999, Dhoma është bindur se shkeljet e akuzuara ndodhën në kuadër të një konflikti të armatosur gjatë të cilit u krye sulm i gjerë dhe sistematik kundër popullatës civile shqiptare kosovare. Si rrjedhojë janë provuar kushtet paraprake të parashtruara në Nenin 3 (krime lufte) dhe në Nenin 5 (krime kundër njerëzimit) të Statutit.

Siç shtjellohet në Kapitullin VI të Aktgjykimit, duke filluar konkretisht më 24 mars 1999, në shumë qytete, fshatra dhe vende të tjera anembanë Kosovës ndodhi një praktikë e përsëritur veprimesh si vijon: në orët e hershme të mëngjesit, forcat e UJ-së dhe MPB-së shkonin pranë ndonjë fshati, qyteti apo vendi tjetër. UJ-ja, duke përdorur tanke, autoblinda dhe armë të tjera të rënda, granatonte zonat e banuara duke shkaktuar largimin e popullatës shqiptare kosovare prej shtëpive të tyre. Forcat serbe, në shumicën e rasteve policia, më pas depërtonin në zonë në këmbë, dhe rregullisht digjnin shtëpitë dhe plaçkitnin sendet me vlerë. Në disa raste, pas veprimeve të tilla UJ-ja dhe MPB-ja urdhëronin popullatën të largohej që andej, madje ndonjëherë duke i lënduar fizikisht njerëzit dhe duke ua grabitur sendet me vlerë.

Në shumë prej këtyre vendeve, pas granatimeve fillestare të kryera nga UJ-ja, forcat serbe të cilat në disa raste u identifikuan konkretisht si forca të MPB-së, shkonin te banorët dhe si rregull i veçonin burrat prej grave dhe fëmijëve të vegjël, i urdhëronin gratë dhe fëmijët që të largoheshin dhe të shkonin në Shqipëri, dhe i vrisnin të gjithë burrat, zakonisht duke i ndarë paraprakisht në grupe më të vogla dhe duke e çuar çdo grup në një vend të izoluar.

Shumë banorë dhe njerëz të shpërngulur që kishin parë shkatërrime dhe dëmtime të rënda të pronës dhe vrasje të kryera prej forcave serbe, nga frika për jetën dhe mirëqenien e tyre vendosën të largoheshin në grupe të mëdha nga fshatrat dhe qytetet e tyre. Forcat serbe e koordinuan procesin duke i larguar masivisht banorët shqiptarë kosovarë prej qyteteve dhe fshatrave të tyre, shpesh duke e organizuar transportin rrugor dhe hekurudhor për ta, dhe në shumicën e rasteve duke mundësuar mbërritjen dhe kalimin prej tyre të kufirit në pjesën më të madhe për në Shqipëri ose në ish- Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Anembanë Kosovës u formuan kolona ose autokolona të gjata të shqiptarëve kosovarë që lëviznin në drejtim të Shqipërisë apo Maqedonisë, të cilët përfundimisht kaluan kufirin jashtë Kosovës. Disa shqiptarë kosovarë madje kaluan kufirin për në Mal të Zi.

Mbrojtja pretendoi se në atë kohë njerëzit u larguan nga Kosova për arsye të ndryshme, përfshirë gjendjen e luftës midis RFJ-së dhe NATO-s, bombardimet e NATO-s, luftimet midis UÇK-së dhe forcave serbe, sanksionet dhe kushtet e kohës së luftës, evakuimet dhe lëvizjet e qëllimshme të popullatës të drejtuara prej UÇK-së. Mbrojtja gjithashtu pretendoi se edhe popullata joshqiptare e Kosovës po largohej nga Kosova në një numër të ngjashëm. Për të vendosur nëse janë provuar krimet e Dëbimit ose Transferimit të Dhunshëm, Dhoma u mbështet në prova të përcaktimit të rrethanave të largimit të njerëzve prej qyteteve dhe fshatrave në 13 komunat e përmendura në Aktakuzë. Nga këto prova, Dhoma është bindur se janë provuar veprat penale të Dëbimit ose Transferimit të Dhunshëm në lidhje me rreth 60 vende konkrete të përmendura në Aktgjykim. Për sa u përket këtyre vendeve në lidhje me të cilat janë provuar veprat penale të Dëbimit ose Transferimit të Dhunshëm, provat nuk vërtetojnë se njerëzit po largoheshin për shkak të bombardimeve të NATO-s ose për shkak të luftimeve midis forcave serbe dhe UÇK-së, apo për shkak të vështirësive që shkaktuan sanksionet apo kushtet e luftës, siç pretendoi Mbrojtja. Përkundrazi, siç shtjellohet në Aktgjykim, provat tregojnë se shqiptarët kosovarë u larguan nga Kosova për arsye se ishin forcat serbe ato që i urdhëruan të largoheshin, apo për shkak të veprimeve të forcave serbe që i detyruan të largoheshin, sidomos përmes granatimeve, të shtënave, vrasjeve, dhe djegieve të shtëpive dhe ndërtesave të tjera në fshatrat dhe qytetet e tyre. Ndonëse faktorë si bombardimet e NATO-s dhe luftimet midis forcave serbe dhe UÇK-së mund të kenë shkaktuar shqetësime tek disa shqiptarë kosovarë, faktori mbizotërues dhe detyrues i largimit të shqiptarëve kosovarë nga shtëpitë e tyre dhe në shumicën e rasteve nga Kosova, ishte fushata e qëllimshme e dhunës dhe terrorit që kryen forcat serbe kundër civilëve shqiptarë kosovarë. Në këtë drejtim, është me rëndësi të përmendet se në shumicën e rasteve, shqiptarëve kosovarë ua konfiskuan dokumentet e identifikimit dhe targat e makinave përpara se të kalonin kufirin jashtë Kosovës. Konfiskimet u kryen nga policia serbe dhe UJ-ja. Në qoftë se shpërngulja e shqiptarëve kosovarë do të kishte qenë pasojë e bombardimeve të NATO-s apo luftimeve midis UÇK-së dhe forcave serbe, apo pasojë e faktorëve të tjerë të ngjashëm, nuk mund të kuptohet arsyeja e konfiskimit të dokumenteve të identifikimit të refugjatëve shqiptarë kosovarë. Domethënëse në këtë drejtim janë dëshmitë e Gjeneralit Karol John Drewienkiewicz dhe ajo e Kolonelit Richard Ciaglinski, dy oficerë britanikë, që vëzhguan oficerë të MPB-së duke djegur dhjetëra mijëra dokumente në oborrin ngjitur me ndërtesën e MPB-së më 12 dhe 13 qershor 1999, saktësisht para ndërprerjes së luftimeve në Kosovë dhe në kohën kur forcat serbe po përgatiteshin për t’u larguar nga Kosova.

Siç u tha më herët, Dhoma është bindur se janë provuar veprat penale të Dëbimit ose Transferimit të Dhunshëm në lidhje me rreth 60 vende konkrete të përmendura në Aktgjykim. Këto u kryen anembanë 13 komunave të përmendura në Aktakuzë. Ndonëse gjatë periudhës së Aktakuzës mbi 800.000 shqiptarë kosovarë u larguan nga Kosova, gjykimi ka të bëjë vetëm me ata që u larguan nga fshatrat, qytetet dhe vendet e tjera të përmendura në Aktakuzë. Nuk ka prova të mjaftueshme që do të mundësonin përfundime të besueshme në lidhje me numrin e shqiptarëve kosovarë për të cilët u provua se ishin dëbuar nga këto vende konkrete për në Shqipëri, Maqedoni dhe në disa raste për në Mal të Zi, midis 24 marsit dhe 20 qershorit 1999. Nga provat mund të konkludohet se ky numër ishte së paku 200.000. Mirëpo, ky vlerësim është jo i plotë dhe tejet i moderuar, dhe shifra e saktë me gjasë është shumë më e lartë.

Aktakuza gjithashtu pretendon përgjegjësinë penale të Vllastimir Gjorgjeviqit për Vrasjen e qindra civilëve shqiptarë kosovarë, përfshirë 840 personat e identifikuar me emër, konkretisht të renditur në Listat e Aktakuzës.

Dhoma është bindur se akuzat për Vrasje të pretenduara në Aktakuzë janë vërtetuar në lidhje me shumë vende në Kosovë të përmendura në Aktgjykim. Në veçanti, Dhoma konkludon se forcat serbe, në shumicën e rasteve policia serbe, vranë jo më pak se 724 shqiptarë kosovarë. Në numrin më të madh të rasteve, viktimat, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, ishin civilë të paarmatosur të cilët në asnjë farë mënyre nuk merrnin pjesë në çfarëdo forme të konfliktit të armatosur. Dëshiroj të theksoj se ky proces gjyqësor nuk është mbi pjesëtarët e UÇK-së të vrarë gjatë luftimeve me forcat serbe. Megjithëse disa nga të vrarët mund të kenë qenë pjesëtarë të UÇK-së, në momentin e vrasjes ata ishin robër lufte të forcave serbe, të paarmatosur dhe të paaftë për të marrë pjesë në çfarëdo forme konflikti të armatosur. Nuk u bë asnjë përpjekje për identifikimin ose arrestimin e individëve për t’i hetuar ose gjykuar si terroristë ose të dyshuar si terroristë. Gjithashtu Dhoma konstaton se provat tregojnë qartë se krimet për vrasje të akuzuara në Aktakuzë thjesht janë ilustruese dhe nuk përbëjnë aspak një pasqyrë të plotë të krimeve të kryera nga forcat serbe, në veçanti nga policia, kundër popullatës shqiptare kosovare gjatë sulmit të gjerë dhe sistematik të përmendur.

Po vazhdoj me tre shembuj, më 26 mars 1999, afërsisht 114 burra dhe djem, banorë të një fshati në komunën e Rahovecit u futën me forcë në një hambar në fshat nga policia. Njëri nga burrat ishte invalid; policia përdori karrocën e tij për të bllokuar derën e hyrjes. Pasi të gjithë burrat dhe djemtë ishin brenda në hambar, policia shtiu kundër tyre me automatik. Pastaj policët i spërkatën kufomat me lëndë djegëse, vendosën misër mbi ta dhe i vunë zjarrin hambarit. Shembulli i dytë, më 26 mars 1999, policia vrau jo më pak se 45 anëtarë të një familjeje në Suharekë. Disa u vranë në shtëpitë e tyre. Një çift të moshuarish u vranë teksa po iknin prej shtëpive. Më pas, 35 anëtarë të familjes, kryesisht gra dhe fëmijë të vegjël u strehuan në një kafene të afërt. Policët hodhën bomba dore brenda kafenesë dhe pastaj hapën zjarr kundër tyre duke vrarë 32 gra dhe fëmijë. Në një qytet tjetër, Podujevë, forcat serbe rreshtuan dhe hapën zjarr kundër 19 grave dhe fëmijëve, anëtarë të dy familjeve, në oborrin e shtëpisë së tyre. Prej këtyre u vranë 14 gra dhe fëmijë. Megjithëse pesë fëmijë mbetën gjallë prej incidentit, ata pësuan lëndime të rënda, shumë prej tyre të përhershme. Këta shembuj tregojnë se kjo sjellje nuk ishte operacion i mirëfilltë policor për zbulimin dhe arrestimin e terroristëve.

Siç shtjellohet në Aktgjykim, Dhoma gjithashtu është bindur se është provuar që krimet e Transferimit të Dhunshëm, Dëbimit dhe Vrasjes u kryen me synimin e diskriminimit të popullatës shqiptare kosovare mbi bazën e përkatësisë së tyre etnike.

Dhoma gjithashtu është bindur se është provuar kryerja e krimit të Përndjekjeve përmes shkatërrimit të qëllimshëm të xhamive nga forcat serbe. Shkatërrimi i këtyre xhamive ishte pjesë e fushatës së forcave serbe që përfshiu dëmtimin dhe shkatërrimin sistematik të monumenteve kulturore dhe vendeve të shenjta myslimane të popullatës shqiptare kosovare.

Megjithëse Dhoma Gjyqësore ka konkluduar se janë provuar incidente të dhunës seksuale, nuk janë paraqitur prova që tregojnë se shkelësit vepruan me synim diskriminues. Synimi diskriminues është element thelbësor që duhet provuar. Rrjedhimisht nuk është provuar akuza e përndjekjeve nëpërmjet dhunës seksuale.

I akuzuari nuk kreu personalisht asnjë prej krimeve të akuzuara në aktakuzë. Ato u kryen prej forcave serbe, shumë prej të cilëve ishin policë nën komandën e tij. Gjithsesi Prokuroria ka paraqitur akuzë bazuar në pika të ndryshme, se i Akuzuari është penalisht përgjegjës për kryerjen e krimeve. Në këtë përmbledhje, Dhoma do të përmendë shkurtimisht tri prej pikave për përgjegjësi penale —Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale, Ndihmë dhe Inkurajim të krimeve dhe Përgjegjësi Komanduese.

Akuzë themelore në Aktakuzë kundër të Akuzuarit është se ai mori pjesë në një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, me fjalët të tjera, plan të përbashkët, i cili siç është përmendur më parë pretendohet se synonte ndryshimin e përbërjes etnike në Kosovë. Ky objektiv do të arrihej nëpërmjet një fushate të gjerë ose sistematike terrori dhe dhune kundër shqiptarëve kosovarë, ndër të tjera edhe krimet e përmendura në aktakuzë. I Akuzuari mohoi ekzistencën e një plani të tillë të përbashkët krijuar prej një grupi personash ndër të cilët edhe i Akuzuari. Mbrojtja parashtron se krimet e kryera në Kosovë gjatë periudhës së Aktakuzës, ishin pasojë e incidenteve të veçanta, kryer prej individëve të rastësishëm. Siç është përmendur më parë Mbrojtja parashtroi se çfarëdo veprimi i koordinuar i UJ-së dhe MPB-së në vitet 1998, dhe 1999 ishte vetëm kundër “forcave terroriste” dhe rrjedhimisht i ligjshëm në bazë të të drejtës zakonore ndërkombëtare.

Dhoma nuk mund të pranonte argumente të tilla. Megjithëse operacionet që shkaktuan vdekjen e një numri shqiptarësh kosovarë mund të jenë kryer me pretekstin e operacioneve kundërterroriste, dhe ky mund të ketë qenë një ndër objektivat e këtyre operacioneve, provat tregojnë qartë se këto operacione nuk ishin vetëm kundër UÇK-së. Natyra e krimeve që janë provuar dhe rrethanat e kryerjes së tyre tregojnë qartësisht kjo fushatë ishte kundër popullatës shqiptare kosovare. Dhoma konkludon se operacionet rregullisht synonin të terrorizonin popullatën civile shqiptare kosovare në qytetet dhe fshatra. Kjo u arrit nëpërmjet një sërë mënyrash, ndër të cilat granatimi me armë të rënda i zonave të populluara; terrorizimi i popullatës së zonave nëpërmjet kërcënimeve, dhunës dhe vrasjeve; djegies së pronave të civilëve shqiptarë kosovarë dhe shkatërrimit të fshatrave. Popullata civile ose ata të cilët nuk u vranë, shumë herë u detyruan të largoheshin prej shtëpive, fshatrave ose qyteteve të tyre, në shumicën e rasteve u bashkuan me të tjerë dhe u transportuan në kufirin më të afërt ose iu bashkuan kolonave të të shpërngulurve që u dërguan prej forcave serbe përtej kufirit. Shkalla dhe koordinimi i veprimeve të forcave serbe konfirmojnë ekzistencën e një plani të përbashkët.

Plani i përbashkët varej prej miratimit dhe pjesëmarrjes së udhëheqësve politikë të RFJ-së dhe Serbisë, drejtuesve të UJ-së përfshirë edhe Korpusin përkatës në Kosovë, dhe drejtuesve të MPB-së përfshirë Shtabin e saj në Kosovë. Për arsyet e shtjelluara në Aktgjykim, Dhoma është bindur se personat në këto role vepruan në bashkëpunim për realizimin e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale. Ndër anëtarët kryesorë të këtij grupi, në udhëheqjen politike ishin Sllobodan Millosheviq, President i Republikës Federale të Jugosllavisë, dhe Nikolla Shainoviqi, Zëvendëskryeministër i RFJ-së dhe përgjegjës për Kosovën. Ndër anëtarët e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale nga MPB-ja ishin Vllajko Stojilkoviq, Ministër i Brendshëm, I Akuzuari Vllastimir Gjorgjeviq, Shef i RJB-së, Radomir Markoviq, Shef i Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror, dhe Sreten Llukiq, shef i Shtabit të MPB-së për Kosovën.

Mbrojtja gjithashtu parashtroi se i Akuzuari nuk ka patur mundësi të ketë dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë plan të përbashkët. Thelbi i argumentit qendror të Mbrojtjes bazohet mbi dëshminë dhe parashtrimin e të Akuzuarit se ai nuk kishte kontroll efektiv mbi përdorimin e forcave të MPB-së në Kosovë, sepse i ndjeri, Ministri Stojilkoviq e kishte përjashtuar prej këtij kontrolli. Gjithashtu i Akuzuari mohoi ekzistencën e Komandës së Përbashkët për Kosovën, organi koordinues i forcave serbe ndër të cilat edhe forcat policore në Kosovë.

Në kundërshtim me argumentet e Mbrojtjes, pjesëmarrja e të Akuzuarit në ndërmarrjen e përbashkët kriminale ishte vendimtare për suksesin e saj. Dhoma ka konkluduar se si Shef i RJB-së dhe Ndihmësministër i Brendshëm, i Akuzuari gëzonte kompetenca të ligjshme dhe ushtronte kontroll efektiv mbi policinë në Kosovë, si policinë e rregullt po ashtu edhe atë rezerviste, PJP-në dhe SAJ-në, gjatë periudhës së Aktakuzës. Provat zbulojnë se i Akuzuari ishte në dijeni të hollësishme të ngjarjeve në terren dhe luajti rol kyç në koordinimin e veprimeve të forcave të MPB-së në Kosovë në vitin 1998 dhe 1999. I Akuzuari ishte anëtar i Komandës së Përbashkët e cila në kundërshtim me dëshminë e të Akuzuarit, koordinoi forcat serbe, përfshirë edhe ato policore në Kosovë. Ai ishte shpesh i pranishëm në terren në Kosovë në 1998 dhe 1999 dhe gjithashtu i ishte i pranishëm në mbledhjet e Shtabit të MPB-së në Kosovë. Ai ishte në dijeni të sjelljes kriminale të policisë dhe forcave të tjera serbe në Kosovë prej vëzhgimeve të tij dhe informacionit të marrë nga të tjerë. Gjithashtu ai ishte në dijeni se popullata serbe në Kosovë ishte armatosur prej Ushtrisë dhe MPB-së për të patur forca serbe shtesë. Në kundërshtim me dëshminë e të Akuzuarit se ai ishte përjashtuar prej ministrit Stojilkoviq, i Akuzuari përfaqësoi Republikën e Serbisë në negociatat ndërkombëtare mbi rolin e policisë në Kosovë në tetor 1998.

Gjatë procesit gjyqësor Mbrojtja paraqiti tezën se në periudhën përkatëse nuk kishte forca paraushtarake në Kosovë. Pavarësisht këtij mohimi, provat kanë vërtetuar se gjatë periudhës së Aktakuzës, forcat paraushtarake serbe vepronin në Kosovë, shumë prej tyre në njësitë policore. Gjithashtu i Akuzuari është personalisht dhe drejtpërsëdrejti i implikuar në angazhimin e një njësie të tillë, Akrepat, në forcat rezerviste të MPB-së në 1999. Kjo njësi mori pjesë drejtpërsëdrejti në përdorimin e armëve të zjarrit kundër 19 grave dhe fëmijëve shqiptarë kosovarë, duke vrarë 14 prej tyre. I Akuzuari u informua për këto vrasje thuajse menjëherë pas kryerjes së tyre. Njësia u tërhoq nga Kosova, por nuk pati hetim. I Akuzuari ishte në dijeni të moskryerjes së hetimit, mirëpo gjithsesi autorizoi ridislokimin e anëtarëve të së njëjtës njësi në Kosovë pas disa ditësh.

Gjithashtu Dhoma u bind se i Akuzuari ishte vendimtar në orvatjet e MPB-së për fshehjen e vrasjeve të shqiptarëve kosovarë gjatë periudhës së Aktakuzës. Siç shtjellohet hollësisht në Aktgjykim, provat konfirmojnë se prej javës së dytë të prillit 1999, së paku gjashtë herë gjatë një periudhe disajavëshe, kamionë që transportonin kufoma të shqiptarëve kosovarë të vrarë nga forcat serbe në Kosovë, arritën në qendrën e SAJ—it 13 maj, në Batajnicë afër Beogradit. Kjo qendër kontrollohet nga MPB-ja. Së paku dy ngarkesa të tjera me kufoma u çuan në Qendrën Petrovo Selo të SAJ-it, një tjetër objekt i MPB-së në Serbi. Gjithashtu u nxorën kufoma nga Liqeni Peruçac në Serbi dhe u varrosën në një varr të përbashkët pranë liqenit. Kufomat ndodheshin në një kamion i cili u gjet në liqen. Në 2001 u zhvarrosën kufomat e 744 individëve në Qendrën e SAJ-it në Batajnicë, 61 në Petrovo Selo dhe 84 në Liqenin Peruçac. Kufomat ishin shqiptarë kosovarë të vrarë në Kosovë në 1999. Pavarësisht gjendjes së kufomave të varrosura për më shumë se dy vjet, u përcaktua se kishte shumë të ngjarë që shkaku i vdekjeve për shumicën e këtyre rasteve të kishin qenë plagë të shumta të shkaktuara prej armëve të zjarrit.

I Akuzuari luajti rol udhëheqës në orvatjet e MPB-së për mbajtjen në fshehtësi të këtyre vrasjeve. Ai dha udhëzime për transportimin e fshehtë të kufomave të gjetura në një kamion-frigorifer në Lumin Danub për në qendrën stërvitore të SAJ-t në Batajnicë afër Beogradit dhe rivarrimin e tyre të fshehtë në një varr të përbashkët në qendrën e SAJ-it. Ai dha udhëzime për varrimin e menjëhershëm të kufomave të gjetura në Liqenin Peruçac, në vend. Në të dy rastet i Akuzuari dha urdhra konkretë për pengimin e hetimeve gjyqësore. Dhoma ka konkluduar se transportimi i kufomave nga Kosova për varrim të fshehtë në varre të përbashkëta në terrene të MPB-së, u krye në kuadër të një operacioni të koordinuar për zhdukjen e provave të krimeve të kryera prej forcave serbe kundër shqiptarëve kosovarë në Kosovë gjatë periudhës së Aktakuzës. Konkluzioni i Dhomës është se ky operacion u krye nën drejtimin e të Akuzuarit, në konsultim me Ministrin Stojilkoviq, në zbatim të një urdhri të Presidentit të RFJ-së, Sllobodan Millosheviq. Megjithëse i Akuzuari ishte ligjërisht i detyruar të mundësonte hetim të duhur në lidhje me gjetjen e kufomave, ai bëri që kufomat e gjetura të mos bëheshin objekt i hetimit në atë kohë.

Dhoma gjithashtu u bind se megjithëse ishte në dijeni të kryerjes së krimeve prej forcave të MPB-së në Kosovë, asnjëherë gjatë periudhës së Aktakuzës ose më pas, gjatë mandatit të tij si Shef i RJB-së, i Akuzuari nuk mori masa për mundësimin e hetimit të krimeve ose ndëshkimit të individëve të implikuar në kryerjen e tyre.

Dhoma është bindur se sjellja e të Akuzuarit përshkruar në konkluzionet e lartpërmendura, kontribuoi në masë të konsiderueshme në fushatën e terrorit dhe dhunës së skajshme të forcave serbe kundër shqiptarëve kosovarë, e cila synonte ndryshimin e përbërjes demografike në Kosovë.

Po ashtu Dhoma është bindur se nëpërmjet implikimit të tij të drejtpërdrejtë në fshehjen e kufomave të viktimave të vrara të shqiptarëve kosovarë, dhe mosveprimit të tij absolut për mundësimin e hetimit të krimeve të kryera nga forcat e MPPB-së gjatë periudhës së Aktakuzës, i Akuzuari ndihmoi dhe inkurajoi krimet e vërtetuara në Aktgjykim. Këto fakte janë mjaftueshmërisht bindëse edhe për shpallje fajësie për ndihmë dhe inkurajim, si dhe për pjesëmarrje si anëtar i NPK-së, me qëllim pasqyrimin e kuadrit të plotë të sjelljes kriminale të të Akuzuarit.

Për arsyet e shtjelluara në Aktgjykim, Dhoma bindet se i Akuzuari mban përgjegjësi në bazë të paragrafit 3 të Nenit 7 për mosveprim në parandalimin e kryerjes së krimeve të vërtetuara në Aktgjykim prej personave nën kontrollin e tij efektiv dhe për mosndëshkim të autorëve të këtyre krimeve. Mirëpo për shkak të konkluzionit kundër tij bazuar në paragrafin 1 të Nenit 7, Dhoma nuk mund ta fajësojë të Akuzuarin edhe sipas paragrafit 3 të Nenit 7.

Vllastimir Gjorgjeviq: Ju lutem ngrihuni.

Në bazë të paragrafit (1) të Nenit 7 Dhoma ju shpall FAJTOR, për veprat e mëposhtme penale:

Pika 1: Dëbim, krim kundër njerëzimit, bazuar në Nenin 5 të Statutit, për kryerjen e krimit të dëbimit nëpërmjet pjesëmarrjes suaj në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe për ndihmë dhe inkurajim në dëbimin e shqiptarëve kosovarë prej vendeve të përmendura në Aktgjykim;

Pika 2: Veprime të tjera çnjerëzore(transferim i dhunshëm), krim kundër njerëzimit, bazuar në Nenin 5 të Statutit, për kryerjen e krimit të transferimit të dhunshëm nëpërmjet pjesëmarrjes suaj në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe për ndihmë dhe inkurajim në transferimin e dhunshëm të shqiptarëve kosovarë prej vendeve të përmendura në Aktgjykim;

Pika 3: Vrasje, krim kundër njerëzimit, bazuar në Nenin 5 të Statutit, për kryerjen e krimit të vrasjes nëpërmjet pjesëmarrjes suaj në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe për ndihmë dhe inkurajim në vrasjen e jo më pak se 724 shqiptarëve kosovarë, të identifikuar në Listën e Aktgjykimit;

Pika 4: Vrasje, shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës, bazuar në Nenin 3 të Statutit, për kryerjen e krimit të vrasjes nëpërmjet pjesëmarrjes suaj në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe për ndihmë dhe inkurajim në vrasjen e jo më pak se 724 shqiptarëve kosovarë të cilët nuk merrnin pjesë aktive në luftime, të identifikuar në Listën e Aktgjykimit;

Pika 5: Përndjekje mbi bazë racore, krim kundër njerëzimit, bazuar në Nenin 5 të Statutit, për kryerjen e krimit të përndjekjeve nëpërmjet pjesëmarrjes suaj në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe për ndihmë dhe inkurajim në përndjekjet kundër shqiptarëve kosovarë nëpërmjet dëbimit, transferimit të dhunshëm, vrasjeve, dhe shkatërrimit ose dëmtimit të objekteve me vlera kulturore dhe fetare për shqiptarët kosovarë, në vendndodhjet e përmendura në Aktgjykim.

Në lidhje me dënimin, në Aktgjykim Dhoma ka parashtruar se në përcaktimin e dënimit të duhur janë marrë parasysh shumë faktorë.

Juve ju jepet një dënim i vetëm me 27 vjet burgim. Koha që keni kaluar në paraburgim ju llogaritet plotësisht brenda kohëzgjatjes së dënimit. Ju do të mbaheni në paraburgim prej Tribunalit deri në finalizimin e masave për transferimin tuaj në shtetin ku do të vuani dënimin

Mund të uleni.

Këtu përfundon ky proces gjyqësor.

Seanca mbyllet.

FUND

KOMENTE