English

Mamia 7 vjeçe: ndihmon nënën e saj të lindë

Rotherham, 23 Shkurt, NOA- Lauren Burman ka një marrëdhënie shumë të veçantë me të motrën e saj. Ajo e ka ndihmuar të vijë në jetë. Vetëm shtatë vjeçe, fëmija ka asistuar nënën e saj, Clair, 28 vjeçe gjatë lindjes.

Gruaja papritmas ka ndjerë dhimbjet e lindjes në momentin që ka qenë vetëm me vajzën në shtëpi. Loren e ka ndihmuar atë të shtrihet në krevat duke u përpjekur ta qetësojë përpara se të vraponte për të kërkuar ndihmë te një e afërmja e tyre.

- Lauren ka ardhur te unë menjëherë dhe ka thënë: "Shpejt, nëna ime është duke lindur”- ka thënë Linda Platts 47 vjeçe, e afërmja e gruas- Kur arrita dëgjova ulërimat e Clair. Koka e foshnjës po dilte kur unë hyra në dhomë. Ne thirrëm 999 për ndihmë, por Charley ishte e etur për të ardhur në botë dhe ka lindur menjëherë. Problemi ishte se ajo kishte probleme të frymëmarrjes, pasi kordoni i kërthizës ishte i mbështjellë rreth qafës së saj’.

Linda dhe Lauren u përpoqën ta nxjerrin atë dhe kanë fërkuar gjoksin e saj për ta ndihmuar të marrë frymë. Pas disa sekondash foshnja hapi gojën dhe filloi të marrë frymë normalisht.

Krenare, Lauren ka thënë: "Kur Charley do të jetë e madhe, unë do ti them se isha aty dhe kam qenë e para që e kam parë atë. Unë do ta kujtoj këtë ditë për gjithë jetën. Ajo është motra më e mirë që unë mund të kem”.

Nëna e vajzës ka shtuar: "Pasi unë isha duke lindur, Lauren u përpoq të më qetësonte, dhe duke parë kokën e foshnjës e kuptoi që situata ishte reale. Kjo ishte një garë e vërtetë kundër kohës. Lauren ishte më e kthjellët, unë kam qenë në panik. Kjo ishte e mahnitshme. Lauren tani thotë se dëshiron të punojë mami kur të rritet".

Clair u dërgua në spital ku ka ndenjur gjatë natës. Por tani është përsëri me Lauren, Charley dhe të shoqin Dean Wilkinson.

a.e/NOA

KOMENTE