English

Misteri i binjakeve të zhdukura, vizatimet: “Babai është i trishtuar”

Lozanë, 23 Shkurt, NOA- Është ende e mbështjellë me mister, zhdukja e dy binjakeve Alessia dhe Livia, pasi babai i tyre vrau veten duke u hedhur në një tren në Foggia, dhe i kishte dërguar një letër Irinës, nënës së dy vajzave të vogla, me fjalët: "Vajzat pushojnë në paqe, nuk vuajtën ... Nuk do i shohësh kurrë".

Policia në Zvicër, Francë dhe Itali ka 23 ditë që është duke ndjekur lëvizjet e babit të dy vogëlusheve nga 30 janar deri më 3 shkurt, ditën e vetëvrasjes.

"Unë dua ti gjej - thotë Irina nëna binjakeve - unë duhet ti gjej, absolutisht duhet ti gjej. Vetëm kjo do të bëhet në jetën time". Në banesën e Saint-Sulpice, ku ajo u zhvendos me vajzat pas ndarjes, sidomos në dhomën e tyre të gjumit, koha ka ndaluar, duke përfshirë edhe kukullat e lodrat. Vizatimet e varura në dhomën e ndenjjes tregojnë emocionet e tyre.

Irina tregon për mediat vizatimet e fëmijëve të bëra gjatë periudhës së ndarjes: një pikturë të Livias ku paraqitet një shtëpi që fluturon në drejtim të diellit mes reve blu, ku një litar e lidh me tokën dhe shumë fije bari i bëjnë shoqëri një luleje të vetme. Dhe Alessia bën skicimin e një njeriu në ngjyrë blu dhe të trishtuar. “Ndoshta njeriu në skicë është i ati i mbetur vetëm në shtëpinë e vjetër”, thotë Irina

"Alessia është si një tërmet, i pëlqen të këndojë, më bën shpesh për të qeshur, ndërsa Livia është më e qetë dhe i do shumë kafshët. Ata të dy janë të çmendura pas Pippi Çorapegjatës dhe të dyja duan një mace. Gjatë kësaj kohe falë një mikeje kam gjetur dy mace: njërën e quajnë Baghera dhe tjetrën Balu. Ata do të vijnë në shtëpi dhe do ti gjejnë surprizë. Kush e di sa do gëzohen. Tani unë jetoj si e anestizuar. Por trishtimi im është i veshur me shpresë” , përfundon mamaja e vajzave.

Dy binjaket zvicerane u zhdukën më 31 janar 2011 në Zvicër, Lausanne, kur i ati me origjinë kanadeze, i cili ndante kujdestari të përbashkët me ish- gruan e tij i mori nga shtëpia e nënës së tyre.

43 vjeçari vrau veten më 3 shkurt duke u hedhur nën trenin Eurostar Milano-Bari, nga stacioni hekurudhor i Cerignola, provincë e Foggias dhe nuk dihet më asgjë për fatin e vajzave.

Nga Marseille ai kishte bërë një tërheqje të konsiderueshme prej 7.000 eurosh, edhe pse në trupin e tij u gjetën vetëm 100 euro. Franca, Zvicra dhe Italia, por dhe shumë vende të tjera evropiane janë përfshirë në kërkimin e dy vogëlusheve. Kryesisht policia po përpiqet të ndjekë lëvizjet e babait me shpresën se binjaket janë ende gjallë.

a.e/NOA

KOMENTE