Prishtinë, 23 shkurt, NOA - Vizitën e tij të parë si presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli e ka bërë në rezidencën e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova në lagjen “Velania” në Prishtinë, nga ku është zotuar se do vazhdojë rrugën e Rugovës për forcimin e shtetit.
Të mërkurën Pacolli ka nisur turin e vizitave nëpër familjet e dëshmuara të Kosovës, ndërkaq në rezidencën e ish presidentit Rugova, Pacolli ka thënë se asnjëherë nuk ka qenë më i gatshëm se tani për të punuar dhe vepruar.
“Isha në rezidencën e presidentit historik të Kosovës edhe njëherë të dëshmoj se jam mëse i përgatitur ta çojë përpara idenë e tij për forcimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Ka shumë punë për t’u bërë dhe asnjëherë më i gatshëm se tani për të vepruar”, ka theksuar Pacolli.
I pyetur nga gazetarët nëse do të mund ta luaj rolin unifikues, Pacolli në ecje e sipër ka thënë se populli është i unifikuar.
“Sigurisht populli i Kosovës është i unifikuar dhe do të jetë i unifikuar”, ka thënë ai.
Pas vizitës në rezidencën e ish presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova dhe homazheve tek varri i të ndjerit, presidenti Pacolli gjatë ditës do ta vizitojë edhe familjen Jashari në Prekaz të Skënderajt dhe familjen Haradinaj në Gllogjan të Deçanit
a.k.NOA