Tiranë, 23 shkurt, NOA - Nënkryetari i Grupit të PS, Erjon Braçe akuzoi sot qeverinë se është e paaftë për të mbajtur nën kontroll rritjen e çmimeve duke e bërë në këtë mënyrë edhe me të vështirë jetën e qytetarëve. Braçe u shpreh se qeveria po vret shqiptarët me papunësinë.
“Qeveria, një muaj më parë i vrau fizikisht shqiptarët, të papunë e pa të ardhura. Por, ka të paktën tre muaj që po i vret biologjikisht, duke i mohuar çdo shërbim jetësor: nga ushqimi- që prej muajsh është kequshqimi; tek shëndeti-që prej muajsh është i pamundur për shkak të çmimeve në rritje për çdo shërbim e bar, në çdo spital; për fëmijë e pleq së pari!”, tha sot Braçe. Ai u shpreh se në dy muajt e fundit, çdo familje shqiptari është në vështirësi të madhe: për shkak të çmimeve në rritje të pandalshme; “për shkak të monopoleve të një grushti politikanësh të korruptuar në pushtet që po përcaktojnë çmimet e çdo produkti për çdo shqiptar; për shkak të shpronësimit të vazhdueshëm të çdo shqiptari nga pasuria publike prej vendimmarrjes së paligjshme të të njëjtit grusht politikanësh të korruptuar në pushtet. Secili në Qeveri po përfiton, çdo shqiptar i zakonshëm po paguan”, tha sot gjatë një konference për mediat, deputeti i PS-së, Erion Braçe.
Ai u shpreh se një Qeveri që vret për të vjedhur, vret për të sunduar nuk ndalet në asgjë. “Interesi i një Qeverie të tillë nuk funksionon më si shërbim publik ndaj njerëzve të zakonshëm e në nevojë të këtij vendi. Familja biologjike, nepotike, politike dhe interesat e saj- pasurimi e pronësomi, janë qëllimi i sundimit dhe arsyeja përse Qeveria i vret njerëzit e zakonshëm e në nevojë të këtij vendi. Qeveria është në detyrë për të vjedhur e vrarë për të vjedhur! Qeveria nuk është në detyrë për të shërbyer ndaj çdo shqiptari!”, tha ai Braçe u shpreh se opozita po përfaqëson interesat e popullit dhe është mazhoranca ajo që sot u largua nga kuvendi.
Ai kërkoi nga ministri i Ekonomisë që të japë shpjegime të marrë e mbajë përgjegjësi të menjëhershme për “rritjen e pandalshme të çmimit të ushqimeve bazë bukës, miellit, sheqerit, vajit, vezës, mishit-jetike; energjisë elektrike, naftës e gazit, refuzimit të masave të përkohshme e të përhershme për të mbuluar në afat të shpejtë e afatgjatë efektet dramatike mbi çdo fëmijë e të moshuar si dhe mbi buxhetet familjare të çdo shtëpie në Shqipëri”. Ai u shpreh se i ka kërkuar ministrit të Financave të flas për gjendjen ekonomike dhe të jap shpjegime se përse barra fiskale është rritur në vend. “Ministri i Financave të japë shpjegime, të marrë e mbajë përgjegjësi të menjëhershme për: vendosjen me këmbëngulje të pa justifikuar të TVSH 10% për barnat e cdo lloji e për çdo kategori sociale, rritjen e menjëhershme e të qëndrueshme të çmimit të tyre, rritjen e menjëhershme të kostos të shërbimeve spitalore për këtë shkak, refuzimin e masave të menjëhershme e të qëndrueshme për mbulimin e kostove për çdo individ, familje dhe çdo shërbim të pezulluar për këtë shkak në spitale”, tha Braçe. Deputeti i PS-së shtoi se ministria e Ekonomisë duhet të jap shpjegime dhe për listën e 1280 pasurive publike të nxjerra në shitje.
Në lidhje me situatën ekonomike në vend, Braçe shtoi se drejtuesit e Autoritetit të Konkurrencës duhet të japin informacion për: tregun e energjisë; tregun e naftës e gazit; tregun e grurit dhe miellit për bukë; tregun e vajit; tregun e sheqerit; tregun bankar, transferimin e vendosur përmes shpronësimit të publikut të monopoleve shtetërore si të tilla tek privati; refuzimin e qëndrueshëm, madje mbrojtjen e monopoleve dhe përfitimeve të mëdha prej tyre nga Qeveria; identifikimin e çdo përfituesi të drejtpërdrejtë prej monopoleve në këto tregje a.k/NOA