English

“The Sun” parashikon formimin e Unionit Ballkanik

Londër, 23 shkurt, NOA - Tabloidi britanik “The Sun” shkruan se krijimi i një Unioni të ri Ballkanik me të gjitha vendet që nuk janë anëtare të BE-së është mënyra e vetme për stabilizimin e kësaj pjese të Ballkanit.

Në këtë Union siç shkruhet do të ishin: Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Maqedonia. Shqipëria përmendet si shteti i vetëm që nuk është pjesë ish-federatës jugosllave, ndërsa Sllovenia nuk është përfshirë në këtë projekt për shkak se siç nënvizohet “ky vend nuk është në shoqërinë ballkanike, ka zgjidhur problemet dhe është anëtarësuar në BE”.

Sipas gazetës britanike, kjo ide është shpalosur nga Uashingtoni, ndërsa BE do të ishte pjesë e planit të realizimit, në rast se amerikanët do të shprehnin dëshirë për angazhim të fuqishëm në këtë proces. Kjo ide është paraqitur për shkak të krizës ekonomike në Ballkan, problemeve të brendshme të këtyre vendeve dhe pas paralajmërimit të stopimit të zgjerimit të BE-së për një periudhë 5-6 vjeçare.

“Me formimin e këtij Unioni, do të uleshin tensionet politike në rajon.

Kosova dhe Bosnja do të stabilizoheshin, ekonomia do të rritej në tërë rajonin dhe do të uleshin armiqësitë”, shkruan “The Sun”.

NOA-INA

KOMENTE